Transmetuar më 26-02-2020, 14:05

Operacioni Forca e Ligjit është rikthyer në Shijak ku kësaj radhe ka shënjestruar Astrit Keçin dhe Astrit Avdylin (Balliun).

Astrit Balliu është një ndër të arrestuarit në kuadër të operacionit “Volvo” që u ndërmor në tetor 2018 dhe i konsideruar si një prej të fortëve të Shijakut. Njihet dhe si Avdyli, Sulejmani apo me pseudonimin “Titi”, nga Shijaku.

Por jo vetëm Astrit Avdyli është pjesë e përgjimeve të publikuara nga media gjermane Bild, pjesë të dosjes 339/1 ku dilte se Avdyli komunikonte me ish- kryebashkiakun e Durrësit, që më pas do shpallej non- grata nga SHBA, Vangjush Dakon. Po jo vetëm, edhe me Arjan Ndrazhin, vëllain e deputetit socialist Ilir Ndrazhi.

Me Elton Arbanën, në kohën e bisedës kryetar i PS-së në Shijak dhe aktualisht kryebashkiak i Shijakut. Me Ivo Doçin, drejtorin e Ujësjellësit të Shijakut, apo dhe me votues dhe bëhej fjalë përpara vitit 2017 por në shumicën e bisedave dukej se Astrit Avdyli kërkonte vota për Partinë Socialiste.

Astrit Keçi u arrestua në maj të vitit 2018 me qëllim ekstradimin drejt Italisë pasi akuzohet si pjesë e grupit “Keçi”  që merrej me trafik heroine e kokaine nga vendet ballkanike drejt Europës.

Droga trafikohej përmes territorit italian duke përdorur pikat kufitare në rajonin e Friuli Venecia Giulia.

Operacioni Forca e Ligjit, iu ka dërguar ditën e sotme kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, dy personave që janë subjekt i këtij ligji. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme./b.l/noa.al/

Të dënuar për vrasje dhe trafik droge, OFL iu kërkon dy të dyshuarve të provojnë pasurinë