Transmetuar më 25-02-2020, 13:26

Dy persona të dënuar për trafik droge, duhet të provojnë ligjshmërinë e pasurisë së tyre.

Operacioni Forca e Ligjit, iu ka dërguar ditën e sotme kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, dy personave që janë subjekt i këtij ligji.

Në këtë kuadër, OFL i ka dërguar kërkesën për vetëdeklarim të pasurisë, Kreshnik Budllës, banues në Durrës, i dënuar në Spanjë për trafikim të lëndëve narkotike.

Gjithashtu formulari i është dërguar edhe Fatjon Lazes, banues në Elbasan, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Brenda 48 orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse. /a.y/noa.al