Transmetuar më 25-02-2020, 10:41

Gruaja e Kobe Bryant ka hedhur në gjyq pronarin e helikopterit që u përplas në një kodër dhe mori jetën e basketbollistit dhe vajzës 13-vjeçare Gianna.

Vanessa Bryant bëri denoncimin të hënën duke thënë se piloti Ara Zobayan nuk tregoi kujdes dhe neglizhoi faktin që po fluturonin në mjegull.

Zobayan ishte piloti i helikopterit ku humbën jetën 9 persona muajin e kaluar.

Dje u mbajtën homazhet publike për humbjen e Kobe Bryant dhe vajzës së tij Gianna në “Staples Center” në Los Angeles.

20.000 bileta dolën në shitje dhe u blenë menjëherë nga fansat e kampionit të basketbollit, mes të cilëve ishin edhe emra të njohur.

Bashkëshortja e basketbollistit, Vanessa, bëri një fjalim tepër prekës, ku nuk munguan lotët.

"Zoti vendosi që ne të mos jemi në këtë botë së bashku. Zemër, kujdesu për Gigi-n tonë dhe unë do të kujdesem për Nani-n, Bibi-n dhe Coco-n. Ne vazhdojmë të jemi skuadra më e mirë. Ju duam dhe na mungoni ti dhe Gigi. U prehshit të dy në paqe dhe kënaquni në parajsë, derisa të takohemi sërish një ditë. Ju duam të dyve dhe do të na mungoni përgjithmonë. Mami", tha Vanessa.

Publiku u përlot nga fjalimi i saj i gjatë./a.m/noa.al