Transmetuar më 23-02-2020, 22:08

Koronavirus, Taivani paralajmëron qytetarët: Kujdes maksimal nëse udhëtoni në Itali

Autoritetet në Tajvan u kërkojnë publikisht qytetarëve të tyre të bëjnë kujdes nëse udhëtojnë drejt Italisë dhe njoftojnë masa ekstreme të karantinës jo më pak se 14 ditore për këta udhëtarë.

Në raportin e Taiwan News jepen detaje mbi urdhrin e nënshkruar nga Qendra e Kontrollit Epidemik që i bën thirrje dhe agjencive turistike e të udhëtimit, që klientët t’u nënshtrohen kontrolleve të rrepta higjienike dhe parandaluese.

Sakaq, Il Tempo, njoftoi vendimin e Tajvanit që cilido udhëtar i cili kthehet në këtë vend nga Italia, t’i nënshtrohet futjes në karantinë për 14 ditë me kontrolle të vazhdueshme mjekësore për të kuptuar nëse janë prekur nga virusi vdekjeprurës, Covid-19.

Kjo karantinë sikurse raporton noa.al, bëhet pasi sipas të dhënave, koronavirusi bartet dhe mund të japë efektet e tij deri në 14 ditë nga momenti i prekjes. Kjo do të thotë se nëse një qytetar futet në vendin amë, fjala vjen më 23 shkurt dhe ka qëndruar në Itali 3 ditë, llogaritet dita e fundit e qëndrimit plus 14 ditë pas mbërritjes, si masë drastike parandaluese për përhapjen e virusit.

Vendimi erdhi pasi në Itali janë konfirmuar deri të dielën pasdite 155 persona të prekur nga koronavirusi, në Lombardi, Veneto, Emilia Romagna, Lazio dhe Piemonte. Tre persona kanë vdekur. Sakaq, mbi 50 mijë njerëz janë vënë nën izolim shtetëror në banesat e tyre kryesisht përreth Milanos.

Deri tani nuk ka njoftime zyrtare nga autoritetet shqiptare për masa të ngjashme si ato të Tajvanit. Nga deti dhe ajri, janë rreth 20 avionë dhe tragetë që lëvizin çdo ditë për në Itali, nga Rinasi, Durrësi dhe Vlora. Më së shumti avionët udhëtojnë pikërisht në zonat e prekura nga koronavirusi, kurse tragetët, në Bari, Brindizi dhe Trieste. /noa.al/