Transmetuar më 23-02-2020, 16:05

Pas alarmit mbi koronavirusin ka reaguar edhe ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Ministri tha se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast shqiptarësh të prekur nga përhapja e Coronavirusit në Itali.

Ai shtoi se edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë dhe Konsullatat e Përgjithëshme në Milano dhe në Bari po e ndjekin të gjithë çështjen hap pas hapi.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, me anë të një postimi në Facebook, tha se u "iu bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për në Itali t’iu përmbahen masave të përcaktuara prej autoriteteteve italiane në situatën e emergjencës".

Reagimi i plotë i ministrit Cakaj:

"Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me Ambasaden e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithëshme në Milano dhe në Bari janë duke ndjekur nga afër situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë. Deri më tani nuk ka informacione për qytetarë shqiptarë të prekur".

"Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e perhapjes së virusit në territorin shqiptar.:

"Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë nëpër Itali t’iu përmbahen masave të përcaktuara prej autoriteteteve italiane në situatën e emergjencës.Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali do të vijojnë informimin e publikut varësisht prej situatës", shkruan në reagimin e tij ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj.