Transmetuar më 22-02-2020, 12:10

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka risjellë në vëmendje thirrjen e presidentit Ilir Meta që qytetarët t’i bashkohen protestës së 2 marsit në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Përmes një postimi në Facebook Vasili theksoi se 2 marsi si takimi mbarëpopullor i të gjithë shqiptarëve është momenti që ndan gjërat.

“2 Marsi i Kushtetutës, përballë antiligjit dhe horrllëkut qeveritar! 2 marsi si takimi mbarëpopullor i të gjithë shqiptarëve është momenti që ndan gjërat. Mbrojtja e Kushtetutës është mbrojtje nga antiligji qeveritar: që grabit pronën, që ndëshkon njeriun e thjeshtë dhe mbron hajdutët e qeverisë, që dhunon çdo të drejtë të njerëzve të zakonshëm dhe garanton çdo privilegj të çfrenuar të qeveritarëve gangsterë, që shkeljen e ligjit e quan normalitet dhe respektimin faj që lejon të grabiten miliarda me koncesione ndërsa njerëzit e varfër nuk sigurojnë dot as bukën e përditshme.

Që i mbyll gojën fjalës së lirë dhe paguan fjalën e maskarenjve mediatike të paguar nga qeveria, që lejon të pastrohen paratë e pista që asgjësojnë mijëra bisnese të ndershme, që jua bën jetën ferr shqiptarëve aq sa ata ikin me mijëra nga Shqipëria, që është gati të shkëmbejë shqiptarët me sirianë e Bangladeshas, që e shndërron Shqipërinë ndër tre vendet më të korruptuara të botës, që e shndërron Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. që ua shet edhe Shqipërinë edhe Kosovën interesave më të zeza antishqiptare”, shkruan Vasili.

Sipas Vasilit kjo datë është vija e ndarjes mes pabarazisë përpara ligjit dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë.

“2 marsi i jep fundin drejtësisë së blerë,të kapur e të rrëmbyer nga qeveria që e mbron atë dhe dënon egërsisht njeriun e thjeshtë. 2 marsi është beteja për Kushtetutën që duan ta rrëmbejnë dhe ta shqyejnë Ram- rilindasit idiotë të tij. 2 marsi është festa e ligjit dhe e barazisë së njerëzve të lirë. 2 marsi është dita e rikthimit të dinjitetit të nëpërkëmbur nga degjenerimi arrogant i ram-rilindjes. 2 marsi është dita e ndarjes me horrllëkun rilindas të antiligjit”, përfundon Vasili./b.l/noa.al/