Transmetuar më 22-02-2020, 10:49

Pas publikimit të raportit nga Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, ku thuhej se Shqipëria është futur sërish në listën gri të pastrimit të parave, ministrja e Financave, Anila Denaj theksoi se prioritet i qeverisë ngelet goditja e pasurive të vëna nga krimi.

Në një deklaratë për mediat, Denaj tha se hetimet për asete të sekuestruara deri më tani janë pozitive, ndërsa shtoi se Shqipëria ka shënuar progres në këtë aspekt.

“Hetimet për asetet e sekuestruara janë pozitive. Duhet rritje dënimi për akuzën “pastrim parash”. Shqipëria ka shënuar progres duke u ngritur në vlerësim për 6 rekomandime. Deri më tani janë 65 milionë euro të sekuestruara nga pasuritë e bllokuara. Po ashtu ka dhe një rritja në mënyrë domethënëse e konfiskimeve për bllokimin e pasurive të krimit. Operacioni Forca e Ligjit është shembull i qeverisë se puna ka filluar”, u shpreh Denaj.

Më tej ajo theksoi se, “Kemi angazhim të ndërsjelltë për hetimet. Në vend ka filluar puna për krijimin e dy regjistrave për pronat. Në këtë proces kanë kaluar dhe vendet e tjetra të rajonit si Serbia, Bosnjë Hercegovina. Në fjalën time theksova angazhimin e qeverisë për luftën kundër pastrimit të parave.

Ky angazhim do të jetë më i lartë përgjatë 2020-ës. Kemi në fokus disa prioritete; Shqipëria do të punojë për të vazhduar planin e veprimit të kryerjes e një analize shtesë për rreziqet nga ‘pastrimi i parave’; Përmirësimin e trajtimit në kohë të kërkesave juridike; Krijimin e mekanizmave dhe zbulimin e aktiviteteve të tilla kriminale. Komunikimi ynë do të jetë i vazhdueshëm për mediat”.