Transmetuar më 22-02-2020, 08:29

Zbardhen ndryshimet ligjore dhe udhëzimet që do i vijnë në ndihmë bizneseve që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Si do veprohet për të përfituar lehtësitë

Nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar u dëmtuan rreth 800 biznese në të gjithë vendin. Numri më i lartë i bizneseve të dëmtuara ishte në qytetin e Durrësit. Asetet fizike të 343 bizneseve të prodhimit, të tregtisë, industrisë si dhe magazina u dëmtuan në këtë qytet. Pasoja patën edhe 52 hotele, bare dhe restorante në këtë qytet, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Rindërtimit.

Me qëllimi mosfrenimin e aktivitetit të bizneseve të prekura në vend, fillimisht Kuvendi miratoi në muajin dhjetor dy akte normative me fuqinë e ligjit, për tatimin mbi vlerën e shtuar, si dhe tatimin mbi të ardhurat. Tashmë është në proces finalizimi paketa e masave lehtësuese për biznesin, si dhe udhëzimet përkatëse për të cilat do të zbatohen ndryshimet ligjore.

Në fokus të ndryshimeve është heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për materialet e ndërtimit për përdorim të brendshëm dhe ato që do të importohen, njohja e shpenzimeve në bilancet e bizneseve për dëmet materiale, mallrave, ndërtesave dhe të çdo shpenzimi të kryer për rindërtim. Udhëzimi i hartuar nga Ministria e Financave, për tatimin mbi të ardhurat përcakton rastet e njohjes si shpenzime të zbritshme te biznesi i dëmtuar, si dhe procedurat për zbatimin e tij.

Udhëzimi tjetër i hartuar nga Ministria e Financave është për tatimin e thjeshtuar të fitimit te biznesi i vogël, detajon rastet kur kësaj kategorie i njihen, si shpenzime të brendshme. Ndryshimet në legjislacion, sipas Ministrisë së Financave kanë parashikuar edhe përjashtimin nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë të investimeve për rindërtimin. Ky vendim i hartuar pritet të miratohet nga qeveria. Në paketën e biznesit, Ministria e Financave shprehet se plani i masave i mundëson biznesit të dëmtuar të shtyjë në kohë afatin e pagesës së detyrimeve, por fillimisht duhet të paguajë 20 për qind të tyre. Për shkak të situatës së krijuar, sipas Financave, do t’i hiqet çdo gjobë për deklarimet e vonuara, si dhe do të shtyhen kontrollet e planifikuara në bizneset e dëmtuara.

Si do të njihen shpenzimet e zbritshme

Udhëzimi i miratuar nga Ministria e Financave, i jep zgjidhje një nga kërkesave më shumë të artikuluara nga biznesi, për njohjen e dëmeve nga tërmeti, pasi do të njihet si shpenzim i zbritshëm vlera kontabël e mallrave dhe aktiveve të dëmtuara.

Në udhëzimin nr. 5, datë 30.01.2006 “Për Tatimin mbi të ardhurat”, në fund të pikës 3.5, shtohen paragrafet me këtë përmbajtje: ”Njihen si shpenzime të zbritshme edhe (i) vlera kontabël e mallrave dhe (ii) vlera kontabël e mbetur e aktiveve që janë dëmtuar/shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur “zona të fatkeqësisë natyrore”

Po çfarë dokumentesh duhet të paraqesë biznesi për të përfituar nga kjo masë? Udhëzimi përcakton se biznesi duhet të paraqesë pranë Drejtorive Rajonale të Tatimeve, listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara dhe të shkatërruara. Në listë duhet të përfshihet në mënyrë të detajuar sasia për çdo lloj aktivi të dëmtuar; faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara. Administratës tatimore biznesi do t’i dorëzojë edhe raportin e hartuar nga institucionet vlerësuese për shkatërrimin e aktiveve afatgjatë, pra të tokës, ndërtesave dhe makinerive.

Biznesi i vogël, përfitimet

Një numër i lartë kërkesash për hyrjen në fuqi të njohjes së shpenzimeve të zbritshme, erdhi edhe nga biznesi i vogël. Udhëzimi i ndryshuar i Ministrisë së Financave për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin te biznesi i vogël njeh si shpenzime të zbritshme, vlerën kontabël të mallrave dhe të aktiveve, pra pronës dhe ndërtesës që janë dëmtuar. Edhe biznesi i vogël për të përfituar nga kjo masë lehtësuese, duhet të paraqesë në administratën tatimore, një listë të detajuar me përshkrimin e mallrave dhe aktive që janë dëmtuar dhe shkatërruar. Faturat e blerjes së mallit të dëmtuar apo shkatërruar, si dhe të ndërtesës. Për dokumentacionin e ndërtesës, biznesi duhet të paraqesë kontratën e qirasë, apo të pronësisë. Përveç këtyre biznesi duhet të dorëzojë edhe raportin nga institucionet për dëmin e ndërtesës ku operon.

Hiqet TVSH për mallrat dhe shërbimet në zonat ku do të ndërtohet

Udhëzimi përcakton se përjashtimi nga pagesat e TVSH-së, për zonat ku do të rindërtohet do të jetë për mallrat dhe shërbimet. Përfitues direkt të kësaj mase do të jenë ndërtuesit. Pra nëse një objekt apo infrastrukturë do të rindërtohet nga donatorët, kompania ndërtuese që do të kryejë procesin e rindërtimit nuk do të paguajë TVSH-në për mallrat e ndërtimit dhe shërbimet, duke përfshirë edhe importin.

“Furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja janë: furnizimi i procesit të ndërtimit që realizohet nga ndërtuesit subjekte të rindërtimit; furnizimi i shërbimeve dhe mallrave për procesin e ndërtimit i kryer direkt për ndërtuesit; importimi i mallrave, për procesin e ndërtimit, i kryer direkt nga ndërtuesit subjekte të rindërtimit, brenda programit dhe përgjatë periudhës së rindërtimit, për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e rindërtimit”, përcaktohet në vendimin e qeverisë.

Subjektet të cilat janë kategorizuar, zbatues të programit të rindërtimit, për të mospaguar TVSH-në, duhet të lidhin një marrëveshje kuadër me njësinë zbatuese të ngarkuar nga Qeveria për administrimin e fondeve të alokuara nga “Fondi i Rindërtimit”. Marrëveshja duhet të lidhet edhe nga donatorët, për rastet kur donacionet apo grand-et e tyre nuk janë pjesë e fondit të rindërtimit sipas ligjit të buxhetit”, thuhet në draft. Por ndërtuesit që do të përjashtohen nga TVSH-ja do të pajisen me autorizim nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Ndërtuesit për t’u paraqitur me këtë autorizim, duhet të paraqesin në administratën tatimore një fotokopje e certifikatës së NIPT/NUIS-it; “Marrëveshjen kuadër” që kanë lidhur me “Njësinë zbatuese”; “Marrëveshjen e bashkëpunimit” ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe donatorit, në rastet kur ndërtuesi është përcaktuar nga donatori që ka marrë përsipër procesin e ndërtimit. Preventivin e punimeve, si dhe kopjen e lejes së ndërtimit të miratuar nga organet kompetente. Dokumentacioni i paraqitur nga ndërtuesi do të shqyrtohet brenda 5 ditëve, dhe nëse nuk konstatohen mangësi ndërtuesi pajiset me autorizimin për të mos paguar TVSH.

Heqja e TVSH për importin

E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për importin e materialeve dhe pajisjeve të ndërtimit. Organizatat bamirëse dhe filantropike, që do të importojnë, pajisen me autorizim nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave. Për marrjen e këtij autorizimi, duhet të dorëzojnë kërkesën me shkrim, ku të jetë evidentuar NIPT/NUIS. Dokumentin e lëshuar nga institucioni kompetent ku provohet/vërtetohet se materialet, pajisjet, ndërtesat e parafabrikuara, sipas zërave dhe sasive përkatëse, janë të destinuara për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Kërkesa do të shqyrtohet brenda 5 ditëve, në mënyrë që të përfitohet autorizimi për heqjen e TVSh-së në import./Monitor/