Transmetuar më 21-02-2020, 19:11

Kryeministri Edi Rama inspektoi restaurimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës.

Ai ftoi banorët që të bëjnë aplikimin te aplikacioni “Shtëpia ime”.

“Aplikimet do mbyllen deri në datë 29 dhe deri në datën 8 mars do përgatisim të gjitha dosjet, pasi të bëhet edhe vlerësimi nga bashkitë, për të pasur një pamje të plotë të të dhënave edhe për donatorët. Pasi në të kundërt procesi nuk mund të bëj më tutje, nëse nuk bëjnë aplikimin sipas kuadrit ligjor dhe sipas kërkesës për financimin e ndërtimit. Shkruani në Google ‘Shtëpia ime’, bëni aplikimin, nëse keni dokumenta paraqisni dokumetat, në të kundërt ka opsionin që thotë nuk ka dokumenta, nuk e kam të hipotekuar”, u shpreh Rama.

Ai tha se me aplikimin do i jepet zgjidhje problemit, sipas shkallës së dëmit, duke u ofruar mbështetje për të gjitha nivelet e dëmeve.

Kreu i qeverisë bëri me dije se janë 1871 apartamente që po riparohen nga lejet e dhëna deri tani, ndërkohë që bëri me dije se këto familje janë edhe përfituese të bonusit të qirasë.

Lidhur me vendet e punës që do të hapen nga procesi i rindërtimit, tha se do të jenë pafund.

Madje Rama shtoi me ironi se, “Do marrim edhe punëtorë nga jashtë, edhe nga kontinente të tjera, ndërsa atya të rrinë poshtë te kafja se janë juristë, le të pinë kafe me lekët e babës”. /a.y/noa.al