Transmetuar më 21-02-2020, 14:57

Presidenti Ilir Meta, kërkon që ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të japë dorëheqjen, duke thënë se ditën e hënë do e kallëzojë penalisht në SPAK.

Nga konferenca e sotme për mediat ai e akuzoi Gjonaj për ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve të kryera nga ministria e Drejtësisë, nëpërmjet botimit të paligjshëm dhe kriminal të vendimit të një organi të pavarur si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në Fletoren Zyrtare.

“Në këtë tentativë flagrante për grusht shteti, provat publike që nga dita e djeshme, që do i dorëzohen prokurorisë së posaçme SPAK, rezulton të jetë përfshirë ministrja Gjonaj por edhe funksionarë të lartë të këtij institucioni, për llogari të kapjes së Gjykatës Kushtetuese duke përvetësuar në mënyrë mafioze një kompetencë që Kushtetuta ia jep Presidentin. Ministrja duke urdhëruar sekretarin e përgjithshëm duke dërguar për botim një vendim të KED, ka shkelur ligjin për organizmin dhe funksionimin e qendrës së Fletores Zyrtare”, u shpreh Meta.

Ai tha se sipas Kushtetutës dhe ligjeve, vendimet e KED, nuk botohen në Fletoren Zyrtare dhe askund tjetër por në faqen e Gjykatës së Lartë, në pjesën dedikuar KED.

Ndërkohë, shtoi ai, ministrja e Drejtësisë nuk ka asnjë të drejtë që te çojë për botim në Fletoren Zyrtare akte e KED apo të ndërhyjë në procesin e emërimit dhe zgjedhjet e gjyqtarëve të Kushtetueses, duke arritur në veprime flagrante, si urdhërimi i botimit.

“Po mbushen 24 orë nga publikimi i provave të shkeljes flagrante të ministres së Drejtësisë, e cila nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, dhe ndërhyrjes së paligshme ka konsumuar disa vepra penale në bashkëpunim me zyrtarë të lartë të ministrisë. Për këto arsye dhe vepra të tjera, brenda ditës së hënë do të bëjë kallëzim penal për ministren Gjonaj dhe jo vetëm. Duke qenë se ministrja Gjonaj tashmë e ka humbur tërësisht e Presidentit të shpehur me dekret për emërimin e saj, do të mirëprisja dorëheqjen e saj dhe përballjen me drejtësinë si një ish-ministre, duke shmangur precedentin që Presidenti dhe kryetari i shtetit të padisë një ministre që ushtron këtë detyrë”, deklaroi kreu i shtetit. /a.y/noa.al

Meta thirrje shqiptarëve: Zgjohuni, t’i tregojmë kësaj organizate mafioze se durimi ka kapërcyer çdo kufi

Meta bëhet "hetues vullnetar i SPAK": Shqipëria do të bëhet kuqezi. Sorrat nuk bëhen dot shqiponja

Meta: Rilindja organizatë mafioze në krye të shtetit, rrëmbeu anëtarët e Gjykatës Kushtetuese

Ish-ambasadori thirrje për mbrojtjen e Kushtetutës, Meta: Mirënjohje për integritetin e palëkundur