Transmetuar më 21-02-2020, 14:19

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, tha se Shqipëria duhet të vijojë me reformat, të cilat sipas saj, janë të rëndësishme jo vetëm për Bashkimin Evropian, por edhe për qytetarët shqiptarë. Zyrtarja e lartë e PE siguroi shqiptarët se do të ndjekë ritmin e reformave në Shqipëri, ndërsa tha se populli mund të ketë gjithnjë besim te BE.

“Procesi i zgjerimit ka një rëndësi të madhe për BE, por edhe për Shqipërinë. Do të vazhdojmë me reformat në kuadër të progresit. Do të vij këtu disa herë gjatë viteve në vijim dhe do të flasë me të gjithë aktorët. Do të ndjekim ritmin e reformave, të jeni të sigurt për këtë. Këto reforma janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për BE, por edhe për qytetarët tuaj.

Shqiptarët duhet të vijojnë me zbatimin e këtyre reformave, jo vetëm në Reformën në Drejtësi, por edhe në reformën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë dhe reformën kundër drogës, si dhe Reformën Zgjedhore", tha raportuesja e Shqipërisë në PE.

Më tej raportuesja e Parlamentit Europian e quajti hap të mirë vendimin për shtyrjen e votimit të dy pr/ligjeve pjesë e të ashtuquajturës  paketa ‘antishpifje” dhe nënvizoi: “Shpresoj që të merren në konsideratë të gjitha rekomandimet e komisionit të Venecias".

Ndërsa lidhur me zgjedhje të parakohshme, Santos tha se është një vendim që duhet ta marrin aktorët politikë, dhe jo ajo.

“Ky është një vendim që duhet marrë nga aktorët politikë të vendit. E vetmja thirrje është reforma zgjedhore. Shqipëria duhet të përfundojë reformën zgjedhore në bazë të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR . Sa i takon zgjedhjeve të parakohshme është një vendim që aktorët politikë do të duhet ta marrin jo unë", tha ajo./b.l/noa.al/