Transmetuar më 21-02-2020, 12:56

“Lum Shqipëria për Tao Taon se ky vetëm për hapjen e negociatave punon. Ka harruar që e ka festuar tre herë çeljen e negociatave deri tani. Ka harruar që ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kyç për çeljen e tyre”.

Kështu thotë zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, si përgjigje ndaj kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Ai pyet pse ligjin anti-kushtetues “Dvorani” u miratua pa u pritur Komisioni i Venecias.

“S’ka nevojë, thotë Tao Tao, sepse pamë disa sugjerime që Venecia u ka dhënë disa vendeve të tjera që kanë Kushtetutë tjetër nga e jona, dhe s’mund të ndalonim ta bënim fakt të kryer ligjin mafioz të rrëmbimit të Gjykatës Kushtetuese. Po me ish-ambasadorin e nderuar Cutillo që ju lutët të dilte në TV e të vinte në diskutim dekretin e Presidentit si do ia bëni?”, pyet Blushi.

Në këtë linjë ironizon duke thënë se s’ka problem se ai iku e s’merr vesh që mazhoranca e preu në besë.

“Po me ambasadën e SHBA si do ia bëni, se edhe ajo bëri goxha deklaratë për të thirrur Venecian? Se ju si proamerikanë të paparë s’lëvizni asnjë presje pa u konsultuar me ta?Duan të sabotojne ndihmat (borxhet) thotë Tao. Vetëm një PPP e tyre shkon 1 miliardë euro”, thotë Blushi.

Po ashtu shton se edhe 20 miliardë euro borxhe të japë bota, duke rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese në mënyrë mafioze nga kjo bandë, asgjë nuk do shkojë në xhepat e shqiptarëve, por në xhepat e tyre dhe të disa kreditorëve.

Po kështu ironizon duke thënë se shqiptarët do fitojnë si gjithmonë shumëfishimin e taksave.

“Fakte të reja do dalin Tao, dhe ti ke kohë deri në 2 mars të marrësh kthesën e radhës, siç e merr gjithmonë”, thotë në mbyllje Blushi.

Ky qëndrim i tij vjen pasi më herët, Balla duke iu referuar deklaratave të Presidentit Ilir Meta për “besëlidhjen” e thirrur më 2 mars u shpreh se rruga europiane e shqiptarëve nuk mund të dëmtohet nga asnjë kapriço personale e kujtdo politikani.

“Halli personal nuk mund të mbivendoset mbi aspiratën historike të shqiptarëve për BE-në. Mos harxhoni më kohë për transmetime pa fund për grushte shteti. Tani duhet të jemi të gjithë sëbashku njëlloj si në ato ditë të vështira pas tërmeti për tu fokusuar tek njerëzit. Kjo është një çështje që i takon opozitës. Askush nuk e mohon në Shqipëri se Ilir Meta ka kohë që e ka shndërruar presidencën në një prej selive të opozitës në Shqipëri. Ilir Meta mund të marrë pjesë lirisht në tryezat që Lulzim Basha organizon në selinë e PD”, tha Balla. /a.y/noa.al

Balla: Në 26 mars presim dritë jeshile për negociatat. Meta e ka shndërruar Presidencën në selinë e opozitës