Transmetuar më 21-02-2020, 11:27

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dha një mesazh të qartë për klasën politike në vend, ndërsa bëri thirrje që të lihen mënjanë kapriçot personale, për të ardhmen e vendit drejt BE. Ai theksoi se në 26 mars priten lajme të mira nga Këshilli Europian, ndërsa shprehet se pritet drita jeshile për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Këshilli i 26 marsit do të jetë një moment i rëndësishëm. Pritshmëritë e përbashkëta të kolegëve të BE dhe të komisionit të KE, është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin dritën jeshile për anëtarësim. Duhet të kuptojmë se e ardhmja europiane e Shqipërisë është projekti më i rëndësishëm që kemi, ndaj duhet t’i lëmë kapriçot personale dhe të fokusohemi tek ky proces.

Rruga europiane është sot me e sigurtë se kurrë. Kemi ecur në këto vite në momente të rendësishme. Gjatë qeverisjes së Ramës vendi mori statusin e vendit kandidat dhe pse brenda BE-së ka shumë divergjenca që lidhen me ecurinë e procesit, BE ka vendosur të thërrasë një konferencë të ardhmen e Europës", u shpreh Balla.

Më tej ai duke iu referuar deklaratave të presidentit Ilir Meta për besëlidhjen e thirrur më 2 mars është shprehur se rruga europiane e shqiptarëve nuk mund të dëmtohet nga asnjë kapriço personale e kujtdo politikani.

"Halli personal nuk mund të mbivendoset mbi aspiratën historike të shqiptarëve për BE-në. Mos harxhoni më kohë për transmetime pa fund për grushte shteti. Tani duhet të jemi të gjithë sëbashku njëlloj si në ato ditë të vështira pas tërmeti për tu fokusuar tek njerëzit.

Kjo është një çështje që i takon opozitës. Askush nuk e mohon në Shqipëri se Ilir Meta ka kohë që e ka shndërruar presidencën në një prej selive të opozitës në Shqipëri. Ilir Meta mund të marrë pjesë lirisht në tryezat që Lulzim Basha organizon në selinë e PD”, tha Balla./b.l/noa.al/