Transmetuar më 21-02-2020, 10:18

Ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina J. Smith, tha se vendi i saj nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një postim në Twitter, Smith shpërndau një deklaratë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e falënderoi Xhamajkën për njohje, por ajo tha se vendi i saj nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë.

“Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën”, shkroi Smith.

Të enjten, Thaçi tha se deri te njohja nga Xhamajka ka ardhur pas një lobimi shumëvjeçar.

“Sapo u njoftova nga ambasadorja jonë (në SHBA) Vlora Çitaku se Xhamajka e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, shkroi Thaçi në Twitter.

Pavarësinë e Kosovës, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, nuk e ka njohur asnjë shtet që nga viti 2018.