Transmetuar më 21-02-2020, 00:16

Frika nga vjedhja ka bërë që SHBA dhe BE të detyrohen të kërkojnë që të bëhet transparencë me fondet e siguruara për rindërtimin nga pasojat e tërmetit dhe të sigurohen mekanizma të qartë dhe efikase në mënyrë që përdorimi i tyre të jetë sa më i drejtë dhe të administrohet me përgjegjshmëri.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, tha se pikërisht për këtë transparencë me fondet do të ngrihet edhe Akademia e Transparencës Amerikano-Shqiptare, për të mbështetur jo vetëm transparencën e fondeve, por dhe trajtimet kundër korrupsioni dhe reformën gjyqësore.

Kryeministri Rama, pak ditë më parë u shpreh se kjo Akademi është kërkuar nga vetë ai.

‘Transparenca dhe përgjegjësia janë thelbësore. Kjo është arsyeja pse dhurimi amerikan do të krijojë një Akademi të re të Transparencës Shqiptaro-Shqiptare për të mbështetur qeverisjen transparente, qeverisjen e përgjegjshme ndaj qytetarëve, trajnimet kundër korrupsionit dhe reformën gjyqësore”, shkruan Yuri Kim.

Dhe për ambasadorin e BE, Luigi Soreca pas suksesit të Konferencës së Donatorëve duhet që të krijohet një mekanizëm dhe transparencë, në lidhje me financimin për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti dhe kjo do të sigurohet përmes 9 kushteve të vendosur nga donatorët.

“Konferenca e Donatorëve në Bruksel ishte një sukses i madh. Tani është e rëndësishme për të siguruar mekanizma të qartë, efikas, pjesëmarrës dhe transparent të financimit që lejojnë përgjegjshmërinë për fondet. Të krijojë hapësirë për të gjithë donatorët për të ekzekutuar zotimin e tyre. 9 parimet do ta udhëheqin këtë punë”, shkruan Soreca.