“Komunizmi kishte rënë! Ne rrëzuam bustin, ndërsa komunistët mbetën”
Transmetuar më 20-02-2020, 23:40

Opinion nga Mentor Kikia

Padyshim që sot reflektimet dhe fotot e kohës që tregojnë rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha do të sundojnë diskutimin publik. Por unë doja që plot 30 vjet më pas, ta shikoja pak ndryshe rrëzimin e diktaturës dhe heroizimin tonë atë kohë.

Si fillim: A e rrëzuam ne dikaturën apo ajo ra vetë dhe na ftoi ti jepnim një dorë?

Shqipëria ishte vendi i fundit në Europë që u çlirua nga komunizmi. Në Shqipëri ai ra pasi rumunët e kishin pushkatuar çiftin presidencial e i kishin tërhequr zvarrë. Komunizmi ra, në kohën kur nuk mund të mbahej më, pasi ekonomia kishte falimentuar tërësisht. Komunizmi iku pa shkrehur asnjë pushkë dhe më shumë dhunë është përdorur në protestat e vitit 2019 se në ato të 1990-1991.

Pa llogaritur 1997, kuptohet. Komunizmi më i egër në Europë u dorëzua sepse falimentoi si kauzë dhe filozofi ndërkombëtarisht. Jo më kot në krye të “revolucionit” nuk ishte një disident, por një komunist dhe disa pinjollë të regjimit. Megjithatë kjo nuk zbeh rolin e studentëve dhe të atij revolucioni që e përshpejtoi këtë rënie.

Unë doja ta shikoja në një tjetër kënd edhe “heroizmin e forcave demokratike”? Heroizëm, më shumë se sa të shembësh një diktaturë, pavarësisht forcës së saj, është të mos lejosh më të të hipin në qafë dikatorë të tjerë. Ne komunizmin e shembëm, apo i dhamë një dorë të bjerë, vetëm si qeverisje dhe sistem politik. Por nuk e larguam si filozofi politike, as si mentalitet.

Ne lejuam dhe mbështetëm të na qeverisin njerëz me tipaere të forta autoritariste, votuam që të nesërmen, sërish ish zyrtarë e funksionarë të regjimit komunist. Pranuam një metamorfozë të sistemin nga të njëjtët njerëz dhe procesi që na mundoi më shumë ishte të hapnim disjet e Sigurimit për të parë kush kishte shkaktuar viktima të pafajshme.

Ne nuk ndëshkuam as krimet as kriminelët, ndaj dhe sot 30 vjet pas rënies së atij busti, në tërhiqemi ende zvarrë si popull, duke u lutur që qeveria e ardhëshme të jetë më e mirë se ajo që është, edhe pse na del gjithmonë e kundërta.

Nuk mendoj se ka shumë arsye për të qenë të ngazëllyer sot për 20 Shkurtin!

/NOA.al

Loading...