Transmetuar më 20-02-2020, 20:13

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi sot në ambientet e Teatrit Kombëtar 29 vjetorin e shembjes së bustit të diktatorit Enver Hoxha.

Basha u shpreh se 20 shkurti i 1991 është vepra më e pastër dhe më e kulluar e guximit të çdo shqiptari. Ai tha se në atë ditë historike u ndez brenda shpirtit të tyre shkëndija e shpresës.

“Ajo që shënoi 20 shkurti para 29 vitesh, është vepra më e pastër dhe më e kulluar e guximit të çdo shqiptari. Ndaj falënderimi dhe mirënjohja i takon të gjithëve, gjithsecilit që 29 vite më parë, ndezën brenda shpirtit të tyre shkëndijën e shpresës”, theksoi Basha.

“Bënë brenda shpirtit të tyre të ndizej, bashkë me shkëndijën e shpresës të secilit prej pjesëmarrësve, edhe flakën e lirisë e të demokracisë të ndërgjegjes së një kombi”.

Më tej kreu demokrat shtoi se “Sot jemi mbledhur këtu për ta përkujtuar atë”.

“Me të njëjtin patos, qytetarët u vërsulën për të qëndruar pranë ëndrrës së studentëve, dhe bënë të mundur me kurajon e tyre, jo vetëm shembjen e shtatores së diktatorit, por edhe sjelljen para këmbëve të studentëve në grevën e urisë, të asaj që përfaqësonte frikën, tmerrin, terrorin dhe simbolin e një diktature 50-vjeçare”, u shpreh Basha.

Kreu demokrat tha se e njëjta kuroja vazhdon edhe sot.

“Me të njëjtën kurajo qytetarët e Tiranës i janë bashkuar artistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që mbrojnë shumë më shumë se një godinë, që i tregojnë një bote të tërë se shqiptarët nuk janë ata ku i ka katandisur ky regjim. Nuk janë njerëzit e frikës. Nuk janë njerëzit e vesit. Nuk janë njerëzit e trafiqeve. Nuk janë njerëzit e krimit”.

“Por janë populli fisnik që di të mbrojë me çdo sakrificë, artin dhe artistët, elitën e shpirtit dhe të mendjes. Që di ti bëjë fre babëzisë, atëherë kur duket se ajo nuk ka kufi. Që di të bëhet diga e fundit e padrejtësisë, atëherë kur duket se padrejtësia ka pushtuar gjithçka. Që di të mishlojë trup më trup, mendje me mendje, sup më sup, të drejtën kushtetuese që e bëjnë Europën, Europë, atëherë kur Kushtetuta duket se ka dhënë shpirt”.

“Ky është mesazhi i qëndresës për mbrojtjen e Teatrit, që meriton të përjetohet si pjesë e monumentit të munguar të guximit të 20 shkurtit”, tha Basha.