Transmetuar më 20-02-2020, 15:00

Policia e Shtetit ka reaguar për kamionin me drogë që hyri në Shqipëri nga Mali i Zi dhe kaloi për në Maqedoninë e Veriut duke thënë se u realizua në kushte sigurie dhe konfidencialiteti.

"Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti", njoftoi Policia e Shtetit.

Ndër të tjera, bëri të ditur se operacioni i përket angazhimit serioz në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Një sasi e konsiderueshme prej 1.3 ton kokainë hyri në pikën kufitare të Hanit të Hotit në Shkodër dhe doli nga pika kufitare e Qafë Thanës.

Droga që erdhi nga Amerika Jugore ishte futur në një kamion me banane dhe u vendos në Mal të Zi.

Vendi ynë u përdor si tranzit për të kaluar në Maqedoninë e Veriut, por destinacioni përfundimtar besohet se ishte Sllovenia. SPAK ka njoftuar se ishte në dijeni dhe kishte rënë dakord me forcat policore italiane dhe DEA-n amerikane që të lejonte kalimin në pikën kufitare në Shkodër dhe Pogradec.

Aksioni anti-kokainë në fshatin Kushapek të Komunës së Sarajit ishte pjesë e aksionit në luftën kundër tregtisë së lëndëve narkotike dhe në të ishin pjesëmarrës edhe forcat policore italiane, si dhe DEA amerikane./a.m/noa.al

Lexo edhe: Kamioni me 1.3 ton kokainë kaloi në dy doganat shqiptare, flet ministri maqedonas: Sekuestruam vetëm 1 kg

 Droga nga Amerika përfundon në Maqedoninë e Veriut, si ndryshoi destinacioni i 1.3 ton kokainë