Transmetuar më 17-02-2020, 21:14

I njohur për temperamentin e tij të vështirë, Taulant Xhaka nuk është penduar, që veshi fanellën kuqezi, kur vendosi të braktiste Zvicrën.

Në një intervistë të dhënë për “T-online”, mesfushori 28-vjeçar ka folur për këtë zgjedhje që bëri, duke vendosur të mos priste Zvicrën ku ishte lindur e rritur.

“Federata Shqiptare e Futbollit shfaqi interes për mua shumë herët dhe unë desha që të provoja veten në arenën ndërkombëtare që në moshë të re. Por në asnjë moment ai nuk ishte një vendim kundër Zvicrës. Unë i jam mirënjohës faktit që Zvicra mikpriti familjen time, që u linda dhe u rrita këtu. Por unë dëshiroja të fitoja eksperiencë në një ekip kombëtar sa më shpejt që të ishte e mundur dhe kjo fatkeqësisht nuk ishte e mundur me Zvicrën", theksoi ai.

Taulanti bëri bujë kur Shqipëria dhe Zvicra u përballën me njëra-tjetrën, pasi u vë përballë vëllait më të madh, Granitit.

"Familja nuk ndikoi në vendimin tim, vendimi për të shkuar te Shqipëria ishte gjithashtu për shkak të padurimit tim. Isha 19-vjeç, mosha perfekte për të hedhur hapat e parë në ekipin kombëtar. Mund të kisha pritur për një thirrje nga kombëtarja e Zvicrës, por nuk isha i sigurt se do të vinte ndonjëherë. Unë pata mundësinë që të luaja në Euro 2016 me Shqipërinë dhe realizoja një ëndërr të madhe. Ndaj nuk kam keqardhje për vendimin tim”, theksoi Taulant Xhaka.

Ndërkaq, ai tregoi se në Shqipëri, trajtohej si një hero. “Në Shqipëri, njerëzit janë pasionantë rreth ekipit kombëtar. Si një lojtar i kombëtares, të trajtojnë si një hero popullor. Ka ndodhur që kam shkuar në restorante në Shqipëri ku më kanë paguar ushqimin. Reputacioni që gëzojnë atletët profesionistë që përfaqësojnë vendin atje është tmerrësisht i madh”, theksoi Xhaka. Në fund Taulant Xhaka u shpreh se ka dëshirë të jetë pjesë e Basel deri në fund të karrierës së tij.

/NOA.al