Transmetuar më 15-02-2020, 15:48

Kryeministri Albin Kurti ka folur për "Mini-shengenin" duke thënë se dëshiron që Kosova e Shqipëria të bashkohen për bashkëpunim.

Nuk mungoi komenti i tij për takimin me homologun shqiptar, për të cilin tha: "Mendoj se është mirë që sa më parë Mini-Shengeni të inkorporohet në procesin e Berlinit. Ky është një proces që merret me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të mos kemi diku katër shtete e diku gjashtë, por siç e ka projektuar kancelarja Merkel. Unë nuk kam asgjë të keqe dhe dua që Kosova dhe Shqipëria të integrohen dhe bashkohen sa më shumë, të bashkëpunojnë në secilin fushë. Dallimet janë të tejkalueshme dhe takimi me kryeministrin Edi Rama është ndër takimet më të mira të dy-tre viteve të fundit me të".

Sa i përket unifikimit të qëndrimeve me Presidentin Hashim Thaçi, Kurti sqaroi se Kosova nuk duhet të ketë dy politika të jashtme.

“Nuk e di se sa mund t’i unifikojmë qëndrimet, por unë shpreh vullnetin dhe interesimin tim që të mos kemi dy apo më shumë politika të jashtme të Kosovës. Edhe Trump kur i pati dërguar letrën Thaçit, vitin e kaluar, ka thënë se Kosova duhet të flasë me një zë të unifikuar dhe të bashkuar. Mendoj që këtë duhet ta bëjmë sa më parë. Ndoshta nuk është mirë që nuk u takuam para se të vijmë këtu, por do të kemi kohë që të takohemi pa problem”, tha Kurti në një intervistë për "DW" nga Mynihu.

Albin Kurti foli edhe për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duke thënë se është mirë të ndodhë shpejt, por shpejtësia nuk duhet t’ia zë vendin prioritar përmbajtjes.

“Unë nuk jam kundër dialogut, por jam për dialog të përgatitur mirë dhe me parime. Jam konstruktiv me një dialog që na shpie në marrëveshje dhe që është mjaftueshëm që të mos sabotohet as nga brenda as nga jashtë. Tani ne kemi legjitimitetin e freskët, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Serbinë, ata i kanë në fund të prillit zgjedhjet, mbase kur ata t’i përfundojnë zgjedhjet dhe t’i përfundojmë këto marrëveshjet e deritanishme. Pastaj, të bisedojmë edhe me Brukselin, Berlinin, Parisin dhe me Washingtonin për një kornizë që na e bën dialogun konstruktiv dhe marrëveshjen e drejtë”, tha ai duke shtuar se përmbajtja është prioritet mbi gjithçka tjetër./a.m/noa.al