Transmetuar më 14-02-2020, 01:24

Reklamat televizive nuk janë vetëm informacion për konsumatorët që marrin produkte dhe shërbime. Shpesh ato dalin dhe me mesazhe që godasin konkurrencën pse provokojnë debate publike.

Vendet skandinave janë të njohura për standardin e lartë të jetesës, por edhe për politikat sociale të favorshme ndaj klasave më të rrezikuara, si emigrantët.  Diversiteti, madje, është prej vitesh një nga aspektet e cilësuara si një pasuri për shoqërinë e vendeve si Suedia, Danimarka dhe Norvegjia.

Por një reklamë e kompanisë ajrore SAS, që përfaqëson këto tre vende, ndezi polemika të forta dhe shkoi deri tek kërcënime fizike për mesazhin e saj, të gjykuar si të tepruar.

Reklama tregon se shumë gjëra që skandinavët mendojnë se janë pjesë përbërëse e traditave të tyre, janë në fakt të marra diku tjetër. Me tone deri diku ironike, reklama zbulon se qoftet që nuk mungojnë kurrë në tryezat suedeze vijnë nga Turqia, që biskotat daneze janë shpikur në fakt në Austri, etj.

“Ne marrim gjithçka duam në udhëtimet jashtë, i ndryshojmë pak, dhe ja ku shndërrohen në diçka skandinave”, thuhet ndër të tjerat në reklamë.

Por pjesës më konservatore skandinave, dhe veçanërisht partive politike që i përfaqësojnë,  fushata e SAS është ”zhvlerësuese e traditave dhe një vetëvrasje”.

Lideri i Demokratëve Suedez, Richard Jomshof, deklaroi se “gjithmonë jam munduar të fluturoj me SAS, por nuk do të ndodhë më kurrë”.

Ndërkohë në Kopenhagën, telefonata të shumta kërcënimesh edhe me bombë kanë ardhur në agjencinë e reklamave “Thursday after & Co.”, që ka ideuar fushatën.