Transmetuar më 14-02-2020, 00:33

Në një kohë kur shëndeti botëror po rrezikohet nga përhapja e Koronavirusit, shtetet po bëjnë përpjekje për të marrë masa për frenimin e kësaj epidemie. Por sa të përgatitur janë shtetet për të përballuar një pandemi?

The Economist ka publikuar Indeksin Botëror të Sigurisë në Shëndet. Shqipëria ka shënuar 52.9 pikë, duke u renditur në vendin e 39-të nga 195 ekonomi të marra në shqyrtim. Për të përcaktuar Indeksin e Sigurisë në Shëndet pikët dhe renditja bazohet në gjashtë kategori kryesore: Parandalim, Evidentim të sëmundjes, Përgjigje, Shëndet, Ligje, dhe Rrezik.

Më dobët në shëndet

Shqipëria, pikët më të ulëta i ka shënuar në kategorinë e shëndetit, me një total prej 35.9 pikë nga 59 që është mesatarja botërore për këtë kategori.

Në kategorinë e shëndetit hartuesit e indeksit kanë vlerësuar indikatorë si kapaciteti i klinikave, spitaleve dhe qendrave shëndetësore, e cila ka shënuar ndër pikët më të ulëta (10.8 nga 100) duke u renditur kështu e 128 në botë nga 195 vende. Po ashtu ka marrë zero pikë për indikatorin mbi praktikat e kontrollit të infeksioneve dhe të disponueshmërisë së mjeteve.

Kategoria e rrezikut, dobët infrastruktura e përshtatshme

Edhe pse është një ndër kategoritë ku ka shënuar pikët më të larta, krahasuar me mesataren botërore, Shqipëria ka arritur vetëm 55.7 pikë nga 100 që është mesatarja e përgjithshme.

Pikët më të ulëta janë shënuar për indikatorin e infrastrukturës së përshtatshme në shëndetësi, ku janë shënuar vetëm 33.3 pikë nga 100 të mundshme, duke u renditur kështu në vendin e 124. Po ashtu pikë të ulëta janë shënuar edhe në indikatorin e rreziqeve të mjedisit, ku Shqipëria është vlerësuar me 50.4 pikë nga 100 të mundshme duke u renditur kështu në vendin e 119.