Transmetuar më 13-02-2020, 09:40

Mesditën e kësaj të mërkure, rreth orës 12:50, në bulevardin ‘Gjergj Fishta’, në afërsi të Urës së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, këmbësorja Enriketa Gjuzi, 63 vjeçe, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve, denoncoi se u përplas nga një makinë.

Si përgjegjëse për aksidentin, e dëmtuara bëri moderatoren Ilda Bejleri, për të cilën tha se u largua pa i ardhur në ndihmë. Në vijim të hetimeve policia raportoi se dyshohet që moderatorja duke lëvizur me makinën e saj tip ‘BMW X5’, u përfshi në incident me këmbësoren, duke bërë që të shoqërohet nga uniformat blu.

Moderatorja e sportit, pasi është marrë në pyetje në polici dhe ka dhënë sqarimin e saj, ka dalë me një qëndrim të ashpër ndaj mediave.

Ajo tha se zonja u rrëzua dhe se nuk e përplasi makina e saj, ndaj dhe nuk qëndroi.

Ajo shkruan se, “O ju mer-diat shqiptare. Për fatin tim të mirë kamerat janë hapur në polici, dhe është vërtetuar që makina ime ka qenë e ndaluar në momentin që zonja është rrëzuar në nxitim e sipër për të kaluar rrugën edhe pse semafori jeshil ishte i hapur për makinat. Kush ka ndonjë dyshim të shkojë të shohë videon në polici.

Unë pyeta për zonjën në momentin e parë por më pas duke qenë se makina ime në momentin e rrëzimit nuk ishte në ecje e sipër nuk ndjeva që kisha bërë diçka për t’u ndjerë fajtore. Të gjitha makinat e tjera u larguan por unë qëndrova pak, por nuk ndjeva asnjë detyrim që të qëndroja më shumë se nuk mbaj përgjegjësi për njerëzit që rrëzohen në rrugë. Zonja për fat të mirë është shëndoshë e mirë, flini të qetë o njerëz”. /a.y/noa.al

Deklarata e policisë

Informacion përfundimtar në lidhje me aksidentin e ndodhur mesditën e djeshme në Bulevardin "Gjergj Fishta", Tiranë.

Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me aksidentin e ndodhur në Bulevardin “Gjergj Fishta", më datë 12.02.2020, ku ka mbetur e dëmtuar shtetasja me iniciale E. Gj, 63 vjeçe, ju informojmë se: Në vijim të veprimeve hetimore, në orët e mbrëmjes grupi hetimor ka shoqëruar dhe intervistuar në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasen me iniciale I. B., 33 vjeçe. Policia Rrugore e Tiranës, krahas veprimeve të tjera hetimore, me qëllim sqarimin e rrethanave, në funksion të dokumentimit të plotë të aksidentit rrugor, si pasojë e të cilit ka mbetur e dëmtuar këmbësorja E. GJ., ka sekuestruar ne cilësinë e provës materiale automjetin në pronësi të shtetases I. B., me qëllim këqyrjen dhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme autoteknike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetases I. B, si e dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.