Transmetuar më 12-02-2020, 14:44

Vranë djalin e tyre të lindur pak ditë më parë dhe më tej mundohen që të fshehin ngjarjen. Një histori drithëruese ajo ku është përfshirë një vajzë 23-vjeçare dhe partneri i saj 29 vjeç, të arrestuar për krimin, e ndodhur natën mes 8 dhe 9 shkurtit.

Historia e rëndë vjen nga Husillos, në zonën e Spanëjës, ku policia e gjeti trupin e foshnjës në fund të lumit Carriòn, disa orë pas vrasjes.

Gjithçka nisi nga sinjalizimi i bërë në polici nga ana e një qendër mjekësore, ku nëna e re kishte shkuar të dielën e kaluar, duke thënë se kishte lindur në shtëpi dhe kishte nevojë për asistencë mjekësore, por edhe se nuk po e gjente më djalin e saj.

Pasi policia mbërriti në spital për të folur me të renë, ajo pranoi se e kishte hequr qafe fëmijën, duke e hedhur në një kosh plehrash.

Në atë moment policia dhe kompania e pastrimit të mbetjeve nisën kontrollet, por pa asnjë rezultat. Përballë kërkesës për të dhënë sërish shpjegime, gruaja tregoi se e kishte varrosur djalin të gjallë, në një zonë në periferi të qytetit.

Kur mbërriti në vendin e treguar nga gruaja, policia zbuloi se bëhej fjalë për një pistë të rremë. Vetëm gjatë marrjes sërish në pyetje në komisariat, çifti pranoi se e kishin vrarë djalin e ardhur në jetë më 28 janar, duke e hedhur në lumë. Dy të rinjtë u arrestuan nga policia, teksa kufoma e foshnjës u gjet në një qese të mbushur me gurë. /a.y/noa.al