Transmetuar më 12-02-2020, 00:25

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi të martën një vizitë disaorëshe në Tiranë ku kreu një sërë takimesh me mazhorancën dhe opozitën e vërtetë.

Takimi dhe dalja për mediat e Kurtit dhe Ramës, nxori në pah problemet serioze mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryeministri Kurti, ishte dukshëm i pafokusuar përsa i përket Shengenit Ballkanik dhe la të kuptojë se nuk do të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të të ashtuquajturit Shengenit Ballkanik.

Kryeministri Albin Kurti qartësoi se fokusi është për makro Shengenin shqiptar sesa për mini Shengenin ballkanik, siç e quajti ai.

Kjo deklaratë pasoi reagim të ashpër dhe paralajmërues nga Kryeministri Edi Rama: "Nuk ka makro shengen shqiptar pa mini shengen ballkanik, edhe pse kjo fjala “mini” – e përsëris – nuk e di kush ia vuri, por unë edhe për shkak të gjatësisë, nuk jam i prirur të bëj gjëra “mini”, tha z.Rama.

Ai shtoi se "makro shengeni shqiptar është i lidhur ngushtësisht me shengenin rajonal", duke paralajmëruar kështu Kurtin se nuk do të ketë zhvillim të marrëdhënieve mes dy vendeve nëse Kosova nuk pranon sërish të ulet me serbët dhe disa shtete të tjeta të vogla për minishengenin ballkanik për të cilin shumë thonë se sjell përfitime më së shumti për Beogradin.

Rama tha edhe se përfshirja e Kosovës në këtë minishengen do të bënte që mes Kosovës dhe Shqipërisë të hiqeshin kufijtë.

"Ta çojmë përpara këtë proces, pasi askush, as Serbia e as vendet e tjera nuk na thonë dot që po bëjmë Shqipërinë e madhe, nëse heqim kufirin".

E ndërsa Rama foli për heqje kufijsh, Kurti nxori në pah probleme goxha serioze në mes dy vendeve.

Ai konsideroi si të papranueshme kontrollet e dyfishta që kanë dy shtetet tona e deri dhe faktin që në Kosovë, për të pasur leje qëndrimi, duhet të kesh leje pune e për të pasur leje pune, duhet të kesh leje qëndrimi.

Për Kurtin këto janë anomali duke u angazhuar që të korrigjohen. /noa.al/