Transmetuar më 11-02-2020, 11:00

Me lulëzimin e Call Centerave në Shqipëri, po lulëzojnë dhe kompanitë të cilat  operojnë si shoqëri brokerimi. Kompanitë marrin të drejtën për përdorim të platformave online të brokerimit, i vendosin në faqe interneti, të maskuara si ligjore, për brokerim apo Forex dhe joshin klientët e huaj të investojnë para, të cilat kalojnë në llogari të pagjurmueshme bankare.

Në Shqipëri, tashmë janë mbi 70 të tilla, të palicencuara, që kryejnë evazion fiskal dhe shpesh janë pjesë e skemave të mashtrimit që zhvatin kursimet e qytetarëve anembanë botës. Alimiri, një  29 vjeçar i cili ka kryer studimet për Gjuhë-Letërsi, i intervistuar nga Euronews Albania, tregon eksperiencën e tij në njërën prej këtyre kompanive, ku ai punonte si agjent Forexi.

“Unë kam punuar në Forex në gjuhën gjermane për rreth një vit. Ne ftonin njerëzit të investonin, ne kishim regjistrat me numrat gjermanë, i telefononim njerëzit dhe i ftonim të investonin në bursë. Po në të vërtet, klienti që bënte një blerje blinte luhatje në çmimet e aksioneve, asnjëherë aksione konkrete” –tha ai.

Almiri tregon dhe skemën se si funksiononin këto kompani.

“Fillimisht i drejtonin në drejtimin e duhur që të kishin një farë fitimi, që të kishin mundësi të fitonin më shumë. Pastaj, pasi klienti u kishte marrë dorën investimeve, fillonim dhe e drejtonim për të humbur lekë. Ne paguheshim në bazë të lekëve që klientët humbnin. Pak a shumë një skemë e madhe piramidale”, shtoi ai.

Ai nuk ka qenë i siguruar gjatë eksperiencës në punë, pasi kompania nuk figuronte në Shqipëri.

“Call center-i ku ne punonim dilte i regjistruar në Bullgari, se këtu nuk duhet të figuronte fare. Ne thjesht ishim ndërmjetësim”- shtoi Almiri.

Përveç, Bullgarisë, kompanitë Shqiptare, figurojnë të regjistruara në Qipro, Gjeorgji dhe në vende të tjera të cilësuara si parajsa fiskale. Pagat e majme që arrijnë deri në 3000 euro, joshin mijra të rinj shqiptarë, të përfshihen në skemat mashtruese.

Sipas legjislacionit shqiptar, për veprimtaritë financiare, shoqëritë, të cilat zhvillojnë Forex, licencohen nga Banka e Shqipërisë, ndërsa ato që ofrojnë shërbime brokerimi, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Kompanitë që operojnë në Shqipëri aktivitetet në platforma elektronike dhe për pasojë kërkojnë licencimin nga të dyja institucionet, por në Shqipëri rezultojnë vetëm 3 kompani regjistruara që ofrojnë këto shërbime.