Transmetuar më 10-02-2020, 21:54

Marash Kumbulla po shkëlqen te Verona në Seria A, por ai duhej të ishte futbollist i Juventusit dy vite më parë.

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, në një intervistë të dhënë për mediat italiane ka treguar se si është situata aktuale e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare.

“Napolit i thashë të merrte Kumbullën, ka ndërhyrje perfekte, është i fortë fizikisht dhe pastaj është një djalosh me një seriozitet ekstrem. Por për momentin ai ka refuzuar ofertën. Edhe dy vite më parë duhej të përfundonte te Juventusi, por pak nga drejtuesit e Veronës e pak nga familja, preferuan që ta mbanin për ta rritur", tha ai, duke zbuluar për herë të parë interesin e gjigantit italian për lojtarin kuqezi.

"Shqipëria? Në Itali nuk e ftoi askush dhe kështu unë e bëra të debutonte me kombëtaren e origjinës”, tha Reja për “L’Arena”.

Javën e kaluar trajneri ka ndjekur nga afër stërvitjet e Veronës nën drejtimin e Ivan Juriç, të cilin e vlerëson për mënyrën se si ka ndërtuar një skuadër kaq interesante.

Reja duke analizuar Kombullën ka zbuluar edhe problemin e Shqipërisë. “Më dha mundësinë të spiunoja stërvitjet e tij në një javë të veçantë siç ishte kjo e fundit. Erdha ta shoh si rreshton në fushë Veronën, pasi kam disa futbollistë të cilët për karakteristika i ngjajnë atyre të këtij ekipi. Në të vërtetë, kemi pak mangësi në mesfushë, por shpresoj që të kaloj këto vështirësi nëpërmjet punës”, theksoi trajneri kuqezi.