Transmetuar më 10-02-2020, 01:09

Instituti i Statistikave do të kryejë gjatë vitit 2020 Censin e Popullsisë dhe Banesave, megjithatë ende nuk është miratuar ligji përkatës në Parlament.

Ndonëse tërmeti i 26 nëntorit përkoi me muajin kur ishte planifikuar për t’u kryer censi pilot, drejtuesja e komanduar e INSTAT-it, Elsa Dhuli, thotë se nuk pati ndikim në realizimin e tij, edhe pse po kryhej në zonat më të prekura prej tij. Censi do të kushtojë 16.5 milionë euro në total dhe është një bashkëfinancim i qeverisë shqiptare dhe donatorëve.

Gjatë vitit 2020, INSTAT-i ka planifikuar 160 publikime, prej të cilave tre janë publikime të reja dhe priten me interes nga përdoruesit e statistikave.

Flet Elsa Dhuli

Këtë vit pritet që të realizohet Censi i Popullsisë dhe Banesave. Si po ecën deri më tani procesi i realizimit të tij? Çfarë risish do të ketë këtë herë?

Cens 2020, në kuadër të aktiviteteve statistikore, është ushtrimi më kompleks dhe masiv që ndërmerr një zyrë statistikore. Cens 2020 është një projekt prioritar i INSTAT-it, thelbësor për krijimin e një sistemi statistikor të qëndrueshëm dhe efikas, si edhe për hartimin e politikave të bazuara në statistika, përcaktimin e strategjive socio-ekonomike dhe planeve për zhvillim të qëndrueshëm në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.

Në përputhje me strategjinë e hartuar gjatë vitit 2018, e cila është publike, INSTAT-i ka punuar për hartimin e ligjit të ri për Censin e Popullsisë dhe Banesave, i cili është në proces miratimi në komisionet parlamentare. Për diskutimin e pyetësorit të Censit 2020, janë realizuar disa tryeza konsultative me përdoruesit, donatorët, përfaqësuesit e pushtetit vendor, të komuniteteve fetare dhe grupeve etno-kulturore, përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuara etj.

Risitë kryesore të këtij censi janë përdorimi i teknologjive të reja në mbledhjen e të dhënave, ku informacioni do të mblidhet me tabletë, jo me pyetësor në letër, siç është kryer në vitin 2011. Kjo do të mundësojë një informacion më të saktë duke pasur dhe gjeo-referim të banesave  si dhe do të shkurtojë kohën e përpunimit të të dhënave, me qëllim publikimin e rezultateve të censit më shpejt.

Nga ana tjetër, INSTAT-i do të ndërtojë me këto të dhëna bazën për të krijuar një sistem statistikor për zhvillimin e censeve të mbështetur në regjistra. Kjo do të thotë që në raundin e censeve të 2030-2031 nuk do të bëjmë më një cens tradicional, pasi do të kemi ndërtuar një sistem regjistrash ku informacioni do të përditësohet në mënyrë më frekuente.

Në nëntor të vitit që lamë pas, INSTAT-i njoftoi se po realizonte censin pilot të popullsisë dhe banesave, ku njëra prej bashkive ishte dhe ajo Durrësit. Çfarë ndikimi pati tërmeti në realizimin e censit pilot? A do të ndikojë situata e emergjencës në publikimin në kohë të censit?

Piloti i Censit u realizua për 6 javë, në periudhën tetor–nëntor 2019. Tërmeti ndodhi 4 (katër) ditë para përfundimit të censit pilot, për këtë arsye nuk pati ndikim në realizimin e tij. Qëllimi kryesor i censit pilot është që të testojë në kushte reale hartografinë, metodologjinë, strukturën organizative, sistemin CAPI, planifikimin logjistik dhe ndërveprimin midis të gjitha burimeve të planifikuara për t’u angazhuar në vetë regjistrimin aktual. Gjithsesi, unë e thashë dhe në fillim, piloti shërben vetëm për të testuar fazat e tij dhe të dhënat në këtë fazë nuk kanë shumë rëndësi.

Sa janë kostot e parashikuara për realizimin e Censit 2020?

Për realizimin e Censit të Popullisë dhe Banesave 2020 janë parashikuar të shpenzohen në total 16,5 milionë euro. Kontributin më të madh e ka qeveria shqiptare me 54%, më pas Bashkimi Europian me 29%, dhe pjesa e mbetur mbulohet nga donatorë të tjerë si SDC, Sida, UNFPA etj. Në këtë buxhet, pjesa më e madhe e tij shkon për pagesat e anketuesve, kontrollorëve dhe supervizorëve në terren, të cilët do të jenë rreth 8 500 persona dhe pastaj kostot e tjera janë blerja e pajisjeve duke përfshirë tabletët, kompjuterë etj., asistenca teknike ndërkombëtare, fushata e komunikimit etj.

Popullsia e Shqipërisë, 1 Janar 2019

Popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2019, rezulton 2.862.427 banorë duke pësuar një rënie me 0,3 %, krahasuar me 1 Janar 2018. Gjatë vitit 2018, shtesa natyrore e popullsisë është 7.130 banorë (Lindje-Vdekje), duke pësuar një rënie prej 17,4 %, krahasuar me një vit më parë. Migracioni neto (Imigrantë-Emigrantë) është -15.030 banorë, duke shënuar një rënie prej 0,9 %, krahasuar me një vit më parë.

Për vitin 2020 ende nuk ka të dhëna nga Instat.

Cens 2020

Ja çfarë përmban pyetësori që duhet ti përgjigjemi

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020 do të ndjekë metodën e numërimit të drejtpërdrejtë universale bazuar në operacionet në terren me përpilimin e pyetësorëve nga anketuesit, duke përdorur metoda të reja për mbledhja e të dhënave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020  do të marrë në konsideratë në masën më të madhe të pyetjeve thelbësore, duke marrë parasysh dhe kërkesat e përdoruesve vendas, rekomandimet e fundit ndërkombëtare, në veçanti rekomandimet dhe standardet e adresuara në vendet evropiane nga Kombet e Bashkuara dhe Zyra Statistikore e Bashkimit Evropian (Eurostat) si dhe duke përfshirë ato që lidhen me cilësinë e të dhënave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Temat kryesore Cens 2020

Temat jo kryesore Cens 2020