Intervista/ Zv.ministri i Brendshëm: Politikanë dhe biznesmenë, të gjithë nën shënjestrën e operacionit “Forca e Ligjit”
Transmetuar më 09-02-2020, 22:06

Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se deri tani rreth 10 personave iu është dërguar formulari i posaçëm për të deklaruar për 48 orë burimin e pasurisë.

Në një intervistë për “Vizion plus”, Lamallari u shpreh plot bindje se Operacioni “Forca e Ligjit” do të zbatohet me rigorozitet dhe se do të ketë operacione të vazhdueshme.

Ai tha se do të goditen të gjithë ata individë që kanë ngritur pasuritë e tyre përmes veprimtarive kriminale.

Lamallari nuk la pa përmendur edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, me të cilët kanë shkëmbyer informacione.

A mund të kemi një bilanc të shkurtër të Operacionit “Forca e Ligjit” në këto 7 ditë?

Ka rreth të paktën 10 persona, eksponentë të krimit, të dënuar më parë apo për të cilët ka pasur akuza, dyshime dhe informacione policore, të cilët kanë marrë formularët për deklarimin e burimit të pasurisë. Për rreth 6 subjekte janë nxjerrë edhe urdhëra për sekuestrimin e automjeteve. Nga e enjtja e javës së kaluar disa dosje për personat që ka përfunduar edhe afati për 48 orësh për deklarimin dhe plotësimin e këtyre formularëve, dosjet e tyre janë çuar pranë SPAK-ut. Sigurisht, akti normativ përmban edhe afatet ligjore për procedurat e mëtejshme. Do të ketë operacione të tilla në vijim, të vazhdueshme. Ne jemi të vendosur për të vazhduar me rigorozitet aktin noramtiv me fokus kryesor goditjen dhe shënjestrimin e pasurive kriminale.

Shumë njerëz kanë njëfarë dyshimi, për shkak se disa prej pasurive kanë kaluar tashmë rrugën e Gjykatës dhe janë liruar; përmend këtu pasurine e Lulzim Berishës, Dashamir Gjokës dhe dikujt tjetër. Pra, janë disa pasuri që kanë kaluar njëherë në procese gjyqësore . Ç’garanci ka që këtë radhë nuk do të kemi të njëjtin përfundim?

Nuk është lajm i mirë. Reforma në Drejtësi ka nxjerrë shumë prej këtyre magjistratëve me probleme të theksuara si në pasuri edhe probleme të tjera. Ngritja e institucioneve të reja pranë SPAK-ut është një garanci e madhe për vijimin e kësaj reforme për goditjen dhe shënjestrimin e pasurive kriminale dhe adresimin e tyre sipas proceseve ligjore. Ekziston mundësia ligjore. Kemi të gjithë ata magjistratë që kanë kaluar vettingun dhe janë pjesë e këtyre organeve të reja të drejtësisë. Informacionet policore janë thelluar krahas vendimeve penale që kanë qenë më parë. Gjatë kësaj kohe janë shkëmbyer informacione edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Kemi shumë emra të njohur të botës së krimit, por ndërkohë nuk kemi ende emra që kanë rezultuar me politikën. Opozia ka përmendur emra kryebashkiakësh, ish-kryebashkiakësh, deputetësh dhe ish-deputetësh, ministrash dhe ish-ministrash me familjarët të dënuar për trafik droge. A do t’i kemi këta njerëz në listat e OFL-së?

Akti normativ parashikon në nenin 5 subjektet që do t’i nënshtrohen këtij ligji dhe nuk ka asnjë përjashtim lidhur me statusin e subjekteve, qofshin këta të veshur me subjekt politik, apo me personazhe të medias, biznesit. Pra, kushdo që i përmbysh kriteret e parashikuara të aktit normativ, ka një vendim penal për veprimtari të krimit të organizuar, ka akuza apo është shpallur në kërkim nga policia, të gjithë këta persona do t’i nënshtrohen forcës së ligjit.

Pra, është vetëm çështje kohe?

Javën e kaluar sapo filloi së funksionuari dhe OFL, në kemi parë 10 subjekte që i janë nënshtruar këtij procesi. Do të ketë edhe të tjerë. Le t’i lëmë kohën edhe policisë së shtetit, të gjithë strukturave që të bëjnë detyrën e tyre.

Kemi edhe një element të ri, të parë në 72 orët e fundit. Bëhet fjalë për kontrollet e shtuara të policisë në asket kombëtare dhe në qytetet kryesore. Çfare po ndodh?

Nuk janë vetëm 72 orë, ka më tepër dhe kjo është e qëllimtë. Uroj të kemi mirëkuptimin e qytetarëve. Kjo mund të sjellë edhe surprizë kur shikon prani të shumta të forcave policore, FNSH, shqiponjave, anti-drogës, Por, ata që duhet të jenë të shqetësuar nga kjo prani policore nuk janë qytetarët e ndershëm të këtij vendi.

/NOA.al

Loading...