Transmetuar më 07-02-2020, 20:08

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë javës së ardhshme do ta marrë vendimin e parë të rëndësishëm, mbi premtimet elektorale, për politika sa më sociale.

Kryeministri pritet ta anulojë vendimin që kishte marrë Ramush Haradinaj për rritjen e pagave, të anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe vartësve të tyre.

Me këtë vendim shefi i ri i Qeverisë do t’ia ulë pagën vetes, ministrave, zëvendësministrave dhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në fund të vitit 2017, vendosi që t’ia bëjë vetes një dhuratë për fundvit.

Paga e tij nga 1.500 euro, me vendimin e ri shkoi në një pagë bruto 2.950 euro në muaj.

Nuk dihet sesa do të jetë ulja e pagave për zyrtarët e lartë.

Kurti me të marrë detyrën në konferencën e parë për media ka bërë të ditur se do t’i shqyrtojë të gjitha vendimet e ish-qeverisë pas datës 19 korrik të vitit 2019, ditën kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj, dha dorëheqje.

Madje, ai ka paralajmëruar që do të shqyrtojë edhe vendimet të tjera, të cilat sipas tij nuk janë në përputhje me dispozitat ligjore të shtetit të Kosovës. /NOA.al