Transmetuar më 05-02-2020, 18:24

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se tërmeti tragjik i 26-nëntorit ka patur një ndikim negativ edhe në rritjen ekonomike.

Në një deklaratë për mediat, Sejko u shpreh se ky ndikim negativ pritet të mbartet edhe gjatë viti 2020, ndërsa shtoi se pritet që procesi i rindërtimit të japë një ndikim pozitiv, por që do të jetë vonë në kohë dhe jo mjaftueshëm për të ulur sa duhet ndikimet negative.

“Tërmeti i 26 nëntorit pati një ndikim negativ në rritjen ekonomike, ky ndikim pritet të mbartet edhe gjatë 2020. Dëmtimi i ambienteve të bizneseve, rritja e pasigurisë. Procesi i rindërtimit pritet të japë një ndikim pozitiv. Por pritet të jetë i vonë në kohë dhe jo mjaftueshëm i fortë për të ndikuar efektet negative. Eksportet shqiptare do të vijojnë të përfitojnë nga sektori i turizmit. Tregjet financiare janë të qeta, kursi i këmbimit paraqitet i qëndrueshëm’, shprehet Sejko.

Më tej ai theksn se, ‘Tejkalimi i pasojave të tërmetit pritet t’i hapë rrugë një rritje më të shpejtë të ekonomisë. Këto parashikime kanë një dozë të shtuar pasigurie, që lidhet me mungesën e një parashikimi të saktë mbi ndikimet e tërmetit. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 1%. Këshilli Mbikëqyrës konstaton se mbeten rreziqet e kahut të poshtë”.