Transmetuar më 04-02-2020, 21:58

Borxhi publik është ulur me 5 pikë për qindje në tre vitet e fundit, duke zbritur në nivelin e 67.9% e prodhimit kombëtar, ose 2.600 euro për çdo shqiptar.

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s” vlerëson sërish me B+ ekonominë shqiptare.

Pa llogaritur borxhin e jashtëm të akumuluar dhe atë të brendshëm, qeveria e kaluar mori në tregjet e huaja një borxh rreth 300 milion euro, ndërsa qeveria aktuale mori dy herë borxh të këtij lloji, me vlerën totale rreth 900 milion euro, pa llogaritur interesat.

Borxhi i marrë për të gjeneruar ekonominë, duket se nuk ka dhënë efekte pozitive. Mbi normën e rritjes së ekonomisë, BB dhe institucionet e tjera i referohen vetëm të dhënave zyrtare.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Adrian Civici, ritmi i uljes së borxhit ka qenë i ulët por pozitiv është fakti se nuk është shtuar.

"Ekonomia ka rritje të qëndrueshme dhe rritje pozitive. Qeveria ka më shumë para në dispozicion për ta shlyer borxhin më shpejt. Ritmi i uljes së borxhit ka qenë i ulët, mund të përmend pozitiv faktin se borxhi nuk është shtuar dhe nuk duket dhe ndonjë lloj politike për ti zgjidhur problemet përmes shtimit të borxhit. Njëkohësisht defiçiti buxhetor është nën kontroll, nën 2%", tha Civici.

Civici shpreh shqetësimin dhe për emigracionin masiv që sipas tij do të ndikojë në ekonomi.

"Ikja e shqiptarëve në lidhje me borxhin ndikimin e parë e ka ndikim statistikor. Meqenëse sasia e borxhit është konstante, e pjestuar me një numër më të vogël shqiptarësh natyrisht që sasia e borxhit për frymë rritet", theksoi Civici.

"Mbi shpatullat e shqiptarëve që janë në Shqipëri, pesha e borxhit do të ndihet më e rëndë sepse do të detyrohen të shlyejnë një borxh që është marrë  nga disa qindra e mijëra njerëz më shumë që kanë qenë në Shqipëri".

“Standard & Poor’s” konfirmon me perspektivë të qëndrueshme ekonominë shqiptare.

Nëse kjo tendencë do të vazhdojë, vlerësimi për borxhin publik të Shqipërisë mund të rritet me një notë edhe më të lartë, ndërsa pas tërmetit situata u bë edhe më e rëndë. Vendi ynë pret nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel që ajo të zgjidhet.

Por një ekonomi që nuk prodhon thuajse asgjë, ose nuk plotëson as nevojat  e saj dhe resurset i shfrytëzojnë kompani të huaja ose vendase, të cilat fitimet nuk i investojnë por i largojnë jashtë vendit, ku zëri i saj kryesor është bujqësia dhe në këtë sektor fakt është se Shqipëria ka mbetur shumë pas vendeve të tjera të rajonit, tregon se me këtë tendencë shqiptarët ndoshta do t’iu duhet tërë jeta e tyre për të shlyer borxhin e shtetit. /NOA.al