Janullatos, Elvis Naçi… ja kush janë liderët fetarë më me ndikim në Ballkan (FOTO)
Transmetuar më 30-01-2020, 22:47

Të pa penguar nga ciklet e zgjedhjeve të mbajtura në vend dhe tekat e votuesve, liderët fetarë në Ballkan kanë grumbulluar ndikim të madh shoqëror dhe politik që nga rënia e Jugosllavisë socialiste dhe rënia e komunizmit në Europën Lindore në fillim të viteve 1990.

Ndërsa janë të prirur drejt nevojave shpirtërore të grupeve të tyre përkatëse, disa priftërinj dhe imamë të Ballkanit kanë zhvilluar gjithashtu një aftësi të admirueshme oratorike dhe politike. Jo domosdoshmërish në krye të hierarkive fetare të tyre përkatëse, figura të tilla sidoqoftë kanë fuqi, zënë titujt kryesorë të lajmeve, trondisin, provokojnë dhe kapen me kritikët e tyre.

Nga personat e famshëm në rrjetet sociale e deri te tradicionalistët dhe radikalët, nga politikanët që synojnë të jenë revolucionarë, BIRN i hedh një sy disa prej figurave fetare që po ndihmojnë në formësimin e Ballkanit.

Shefqet Krasniqi – “radikali” i thjeshtë i Kosovës

Një nga figurat fetare më të njohura dhe me ndikim në Kosovë, ngritja e Shefqet Krasniqit nuk ka qenë e thjeshtë.

Një ish-student 54 vjeçar i Islamit në Arabinë Saudite, Krasniqi u akuzua nga prokurori special i Kosovës në vitin 2014 për nxitje terrorizmi duke inkurajuar ndjekësit e tij të bashkoheshin me grupet militante në Siri dhe Irak, si dhe për nxitje të intolerancës racore dhe fetare dhe evazion fiskal.

Një imam dhe predikues në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, xhamia më e rëndësishme në vendin e ri, Krasniqi kishte përjetuar tashmë polemika. Në vitin 2009, kur predikonte në xhami, ai u kap duke thënë se Nënë Tereza, murgesha etnike katolike shqiptare e lindur në Shkup nën Perandorinë Osmane dhe e shenjtëruar në vitin 2016, i përkiste “Jahannam”-it, ose ferrit, sepse nuk e përqafoi kurrë Islamin.

Krasniqi pretendoi pafajësi për akuzat e vitit 2014, por iu hoq posti i tij si imam në Xhaminë e Madhe. Pas një beteje ligjore katër vjeçare, një Gjykatë Apeli e liroi atë nga akuzat në tetor 2018.

Duke iu përgjigjur thirrjeve publike për rikthimin e tij, Komuniteti Islam i Kosovës e ktheu Krasniqin si predikues në Xhaminë e Madhe, ku ai iu drejtua një xhamie të mbushur me mbështetës të tij në nëntor 2018.

Bedri Elezi, drejtor për studime të sigurisë në Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare, tha se sekreti i popullaritetit të Krasniqit ishte aftësia e tij për të folur një gjuhë të arritshme për një komunitet të madh besimtarësh.

“Ai nuk përdor gjuhë filozofike ndërsa predikon siç bëjnë shumë imamë në Kosovë”, tha Elezi për BIRN. “Ai është i drejtpërdrejtë dhe arrin te njerëzit me talentin e tij për të përcjellë mesazhin dhe i prek ata duke qenë i hapur dhe komunikues.”

Krasniqi ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, një fakt që ai e mbajti sekret derisa një komision veteranësh lufte e përmendi atë si një ish-luftëtar kundër forcave serbe të sigurisë.

Elvis Naçi – Imami modern i Shqipërisë

Në Shqipërinë fqinje, asnjë figurë tjetër fetare nuk ka llojin e popullaritetit dhe ndikimit që gëzon imami 42-vjeçar Elvis Naçi, i cili predikon në Xhaminë e Tabakëve në qendër të Tiranës.

Ndërsa imamët dhe liderët e tjerë fetarë nuk kanë dëshirë t’u bashkohen rrjeteve sociale, Naçi a kuptoi shpejt këtë potencial, duke ndërtuar një brend personal që tani ka një milion ndjekës në Instagram, mbi 800,000 në Facebook dhe pothuajse 200,000 të tillë në YouTube.

Një predikues elokuent dhe karizmatik, Naçi thekson rëndësinë e veprave të mira dhe ndihmën për ata që kanë nevojë. Ai ka folur kundër një Islami radikal dhe ekstremizmit fetar.

Naçi është një i ftuar i shpeshtë i programeve televizive, duke folur për një sërë çështjesh të ndryshme, duke filluar nga pengesat në martesë deri te joshjet e rrezikshme të Shtetit Islamik.

“Ai ka një lloj karakteri që sfidon kufijtë midis asaj që është fetare dhe asaj që nuk është e tillë, midis xhamisë dhe sheshit”, tha Besnik Sinani, një kandidat për doktoraturë në Shkollën e Kulturave dhe Shoqërive Myslimane në Universitetin e Lirë të Berlinit.

“Ai nuk i drejtohet ekskluzivisht Islamit, por ngjall një nocion të Zotit që shumë shqiptarë e pranojnë, pa marrë parasysh sa fetarë ata janë.”

Naçi, tha Sinani, është përfaqësuesi i Islamit modern në Shqipëri, duke pasur ndikim në shoqëri pa ndonjë axhendë të qartë politike.

Irinej Buloviç – mbrojtësi i zjarrtë i kreshmës në Serbi

Peshkopi Irinej Buloviç, kreu i Kishës Ortodokse Serbe në rrethin Backa në veri të Serbisë, mund të mos jetë Patriarku, por ai nuk është shumë larg tij përsa i përket ndikimit, thonë disa vëzhgues.

Peshkopi zjarrtë shkakton rregullisht polemika me deklaratat e tij për homoseksualitetin, abortin, vlerat liberale dhe – po – koncertet dhe festat e sallamit.

Buloviç, 72 vjeç, e ka barazuar homoseksualitetin me pedofilinë, ka dënuar Paradën e përvitshme të Krenarisë në Serbi dhe ka fajësuar abortin për krizën demografike të vendit.

Meshat e tij janë të preferuara e grupeve të ekstremit të djathtë, ndërsa muajt e fundit Buloviç ka drejtuar protesta në qytetin verior të Novi Sadit kundër një ligji polemik në Malin e Zi fqinj për të cilin Kisha Ortodokse Serbe thotë se është krijuar për t’i hequr asaj pronat që ka në vend.

Por Buloviç nuk e kufizon veten në çështje me rëndësi kombëtare: në vitin 2012, eparkia e tij nxori një deklaratë duke kundërshtuar sistemin zanor që po instalohej për një koncert të këngëtarit popullor serb Djordje Balaseviç; në vitin 2014, ai detyroi anulimin e një festivali sallami në Backa, duke e shpallur atë pagan; më pas, në vitin 2017, organizatorët u desh të shtynin një festival produktesh vendi mishi të planifikuar të mbahej fillimisht në mars, pasi peshkopi kërcënoi t’i mallkonte ata për mbajtjen e një ngjarje të tillë gjatë periudhës së kreshmës ortodokse.

“Prifti nuk do të hyjë në shtëpitë e tyre”, deklaroi ai në një njoftim për shtyp. “Ata do të lejohen vetëm të pagëzojnë fëmijët e tyre, pasi ata nuk janë fajtorë për mëkatin dhe marrëzinë e prindërve të tyre.”

Metropoliti Amfilohije – prift politik i Malit të Zi

Si drejtuesi i komunitetit më të madh festar në Mal të Zi, Kishës Ortodokse Serbe, Mitropoliti Amfilohije ka qenë një figurë kryesore fetare dhe politike në vend për dekada, duke u rivalizuar në jetëgjatësi vetëm nga presidenti Milo Djukanoviç.

Të dy shpesh kanë kanë pasur debate që kur të dy erdhën për herë të parë në pushtet në 1991.

Amfilohije nuk qëndron larg politikës, duke akuzuar kritikët e tij se mbrojnë një rikthim në komunizëm, “me një ndalim të rreptë që njerëzit e kishës të përfshihen në politikë.”

Gjatë rënies së Jugosllavisë federale në vitet 1990, Amfilohije ishte një përkrahës i politikave të ndjekura nga presidenti i atëhershëm serb Sllobodan Milloseviç dhe lideri politik i serbëve në Bosnje, Radovan Karaxhiç.Pas rënies së Millosheviçit nga pushteti në vitin 2000, Amfilohije dënoi bashkëpunimin e Serbisë me gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krime lufte për ish-Jugosllavinë.

Edhe pse një antikomunist i betuar, për pjesën më të madhe të karrierës së tij, Amfilohije ishte në marrëdhënie të mira me Partinë Demokratike të Socialistëve në pushtet në pushtet, të udhëhequr nga trashëgimtarët e regjimit komunist.

Marrëdhëniet me Djukanoviçin, megjithatë, u prishën në fund të viteve 1990 ndërsa udhëheqësi i DPS-së filloi të bënte presion për pavarësinë e Malit të Zi.

Në vitin 2006, kur Mali i Zi mbajti një referendum nëse do t’i jepte fund një bashkimi gati një shekullor me Serbinë, Djukanoviç e lavdëroi Amfilohijes për mos pjesëmarrjen e tij në fushatën “Jo”. Referendumi u miratua me një rezultat të ngushtë dhe Mali i Zi shpalli pavarësinë, por marrëdhëniet midis Djukanoviçit dhe Amfilohijes vetëm do të përkeqësoheshin.

Vitin e kaluar, presidenti e akuzoi Metropolitanin se po punonte për të dëmtuar shtetësinë e Malit të Zi dhe se po “ruante kufijtë imagjinuar të Serbisë së Madhe”. Mali i Zi, iu kthye Amfilohije, “drejtohet nga njerëz injorantë”. Kisha rivale Ortodokse Malazeze, të cilën Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh, është “e pafe”, tha ai.

Së fundmi, Amfilohije po drejton protesta në shkallë të gjerë kundër një ligji kontrovers për lirinë fetare, gjë e cila e ka vendosur atë në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Djukanoviçin dhe partinë në pushtet.

Analisti Boris Raoniç tha se Amfilohije ishte një armik i fortë për Djukanoviçin. “Amfilohije ka aftësi më të mira komanduese sesa Djukanoviçi sepse ai lejon progresin në hierarkinë e kishës vetëm të atyre që kanë njohuri dhe aftësi të vërtetuara”, tha Raoniç për BIRN.

“Ndryshe nga Djukanoviçi, Amfilohije, deri më tani, nuk i ka ndryshuar bindjet e tij.”

Muamer Zukorliç – lideri boshnjak

Rajoni i Sanxhakut, i cili shtrihet në pjesë të Serbisë jugperëndimore dhe në Malin e Zi verior, nuk ka asnjë status politik, por një identitet të fortë etnik, me shumicën e afërsisht 500,000 banorëve që jetojnë atje boshnjakë myslimanë.

Në 14 vjet si Myftiu i Madh i Komunitetit Islamik në Serbi, Muamer Zukorliç ka fituar shumë popullaritet në Sanxhak, si dhe në mesin e myslimanëve në Bosnjë, shoqëruar me një numër të madh organizatash joqeveritare, biznesesh dhe mediash.

Një kundërshtar i Millosheviçit në vitet 1990, Zukorliç që nga ajo kohë “ka dëshmuar se ai është një strateg i aftë dhe gjithmonë ka përdorur narrativën se qeveria serbe e trajton Sanxhakun ashtu siç Millosheviçi trajtonte Kosovën”, tha Maja Bjelos, një analiste politike në Qendrën e Beogradit për Studime të Sigurisë.

“Ai vepron siç fryn era”, tha Bjelos, “duke mbushur ato nyje që nuk janë të okupuara dhe duke mobilizuar njerëz që ndihen të margjinalizuar dhe të diskriminuar nga sistemi dhe shumica. Ai flet në një gjuhë të kuptueshme për qytetarët e thjeshtë.”

Bjelos tha se Zukorliç ishte i afërt me Komunitetin Islamik të Bosnjës, si edhe me Turqinë, “por u zhvendos te Arabia Saudite dhe një interpretim më radikal i Islamit”.

Në vitin 2010, Zukorliç themeloi partinë politike Unioni Boshnjak i Sanxhakut, kandidoi pa sukses për postin e presidentit të Serbisë në vitin 2012 dhe më vonë fitoi dy vende në parlament me emrin e ndryshuar të partisë, Partia Drejtësi dhe Pajtim.

Lufta për pushtet në Sanxhak është bërë ndonjëherë e dhunshme. Në vitin 2018, dhjetëra mbështetës të Zukorliçit thuhet se u përpoqën të hynin me dhunë në asamblenë lokale në Novi Pazar, qyteti kryesor në rajon.

Në vitin 2019, Zukorliç vendosi të kandidonte për pozicionin e Reis-ul-ulema të Komunitetit Mysliman të Bosnjës. Përpjekja e tij dështoi, por rezultati i tij me më shumë se 80 vota befasoi shumë njerëz, pasi përfaqësuesit e Sanxhakut kanë vetëm 30 vota.

Saki Erol – Gylen i ri i Turqisë

Saki Erolit i shkëlqeu ylli paralelisht me rrëzimin e rrjetit turk të klerikut Fethullah Gulen, njeriu i akuzuar nga Ankaraja për organizimin e një grushti të dështuar shteti në vitin 2016.

Me qendër në fshatin e largët turistik lindor të Menzilit, Erol është sheik i “Menzilciler”, ose Grupi Menzil i degës Suni dhe Naqshbandi të Islamit.

Grushti i dështuar i shtetit shkaktoi një fushatë hakmarrje politike nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, me dhjetëra mijëra ndjekës të Gulenit që u shkarkuan nga puna dhe u etiketuan si “terroristë”.

Grupi Menzil, tha Mehmet Onur Cevik, një ekspert në Vocal Europe me bazë në Bruksel, “po mbush pozicionin që dikur mbanin gylenistët. Presidenti Erdogan po i përdor ata si kapital njerëzor dhe në këmbim grupi po zë poste publike dhe po merr mbështetje politike”.

Sipas raporteve të mediave dhe partive të opozitës, anëtarët e Grupit Menzil po marrin poste në të gjithë sektorin publik, sidomos në polici dhe në ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të shëndetësisë.

Erol nuk i ka kundërshtuar në mënyrë të qartë pretendimet, duke i thënë mediave se ai ka pritur deri në 10 ministra kabineti.

Grupi Menzil zotëron gjithashtu një grup kompanish nën organizatën ombrellë Semerkand Holding. Portofoli i saj përfshin spitale, shkolla, një shtëpi botuese, kanale televizive dhe stacione radiofonike, si dhe disa ndërmarrje tregtare duke përfshirë librari në të gjithë Ballkanin.

Josip Bozaniç – mbrojtësi i nacionalistëve në Kroaci

Me shumicën dërrmuese të kroatëve që e identifikojnë veten si katolikë, Kisha Katolike në vend ka një ndikim të madh dhe nuk ka frikë të përfshihet në debatin politik.

Kjo është sidomos e vërtetë për Josip Bozaniç, kryepeshkop i Zagrebit që nga viti 1997, një kardinal që nga viti 2003 dhe një zyrtar i lartë në Bankën e Vatikanit.

Në një vend ku krimet e regjimit ustash të kohës së Luftës II Botërore vazhdojnë të diskutohen, deklaratat e Bozaniçit mbi të kaluarën janë parë si veçanërisht problematike.

Në vitin 2019, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Bozaniç bëri homazhe për viktimat hebreje, por nuk përmendi lëvizjen ustashe dhe rolin e saj të drejtpërdrejtë në vrasjen e serbëve dhe romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ai relativizon karakterin kriminal të Shtetit të Pavarur të Kroacisë dhe kërkon të kriminalizojë Luftën Nacionalçlirimtare, domethënë partizanët e Luftës së Dytë Botërore, si një ushtri kriminale, duke relativizuar kështu marrëdhënien midis antifashizmit dhe fashizmi”, tha Marijana Bijeliç, një profesoreshë e asociuar letërsie dhe anëtare e Lëvizjes për Kroacinë Laike.

Ai merr pjesë edhe në betejat politike të ditëve moderne. Në prag të raundit të parë te zgjedhjeve presidenciale të Kroacisë, në fund të vitit të kaluar, Bozaniç bëri thirrje për “stabilitet” dhe “art qeverisje të provuar”, jo “eksperimente të pamenduara”, në një predikim të interpretuar gjerësisht si mbështetje të konkurrentit në atë kohë të Kolinda Grabar-Kitaroviç, Miroslav Skoro. Të dy përfundimisht humbën para kandidatit të qendrës së majtë, Zoran Milanoviç.

Sulejman Rexhepi – lideri islamik i kontestuar i Maqedonisë së Veriut

Edhe pse komuniteti më i madh fetar në Maqedoninë e Veriut është Kisha Ortodokse Maqedonase, është lideri i komunitetit të dytë më të madh fetar në vend, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, ai që tërheq vëmendjen më të madhe.

I flaktë, politikisht i hapur dhe shpesh kontrovers, Sulejman Rexhepi ka drejtuar Bashkësinë që kur vendi u nda në mënyrë paqësore nga Jugosllavia federale në fillim të viteve 1990.

Pushteti i tij i ka mbijetuar akuzave të shpeshta nga kundërshtarët e tij se ai e drejton bashkësinë myslimane me grusht të hekurt dhe i motivuar nga përfitimet e tij personale. Rexhepi i ka hedhur poshtë pretendimet kundër tij.

Në maj 2015, dhjetëra kundërshtarë të tij mbajtën Bashkësinë Fetare Islame për 13 ditë, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Një urdhër gjykate i detyroi ata të dilnin jashtë.

Një vit më pas, në një intervistë për BIRN, Rexhepi e quajti kryeministrin e atëhershëm Nikola Gruevski një “diktator të pa precedent” dhe e akuzoi atë se po përpiqej të nxiste tensione fetare dhe etnike për të konsoliduar kontrollin e tij të pushtetit.

Shumë vëzhgues thonë se kritika e hapur e Rexhepit ndaj Gruevskit luajti një rol të rëndësishëm në inkurajimin e shqiptarëve etnikë në vend për t’u bashkuar kundër qeverisë së tij. Në zgjedhjet pasuese në fund të vitit 2016, disa shqiptarë ndërmorën hapin e paparë për t’ia dhënë votat e tyre social demokratëve në atë kohë në opozitë, sesa t’ia jepnin ato partive që përfaqësonin pakicën shqiptare.

Por lidhja e dashurisë e Rexehpit me Social Demokratët që morën pushtetin nuk zgjati shumë. Në prill 2018, pas një përpjekje tjetër të një grupi imamësh për ta larguar atë, Rexhepi tha se ai përsëri dyshonte në dorën e qeverisë në këtë çështje.

“Ne nuk jemi më në marrëdhënie të mira me këtë qeveri”, deklaroi Rexhepi në atë kohë. Ai kërcënoi se do t’u thoshte ndjekësve të tij nëpër 700 xhami që të bojkotonin zgjedhjet presidenciale të vendit të vitit 2019 në protestë ndaj asaj që ai tha se ishte ndërhyrje e shtetit në çështjet fetare.

Në vitin 2012, Rexhepi bëri thirrje që shqiptarët etnikë të bashkohen në një shtet; në vitin 2014, dolën foto ku ai shfaqej i veshur si sulltan osman me shpatë në duar. Ndërsa ai vet postoi një foto në rrjetet sociale të nipit të tij i cili mbante në dorë një pistoletë. Në vitin 2018, duke u duartrokitur nga përkrahësit e tij, ai i dëshiroi vdekje të shpejtë një gjyqtareje që kishte marrë një vendim kundër Bashkësisë Fetare Islame. “Kam marrë vesh se aktualisht ajo ka probleme shëndetësore”, tha ai.

Metropolit Nikolai – mbrojtësi i Ortodoksisë në Bullgari

Megjithëse Patriarku Neophyte kryeson Kishën Ortodokse Bullgare, është Mitropoliti i Plovdivit, Nikolai, ai që kap është më shumë pjesë e lajmeve, falë deklaratave të tij konservatore.

Në një intervistë televizive në vitin 2007, Nikolai (emri i vërtetë i të cilit është Nikolai Metodiev Sevastianov) e quajti Papa Gjon Palin II një heretik, ndërsa gjatë një liturgjie në vitin 2008, ai kritikoi pranimin e Bullgarisë në Bashkimin Europian vitin e kaluar, duke thënë se Europa do të sillte vetëm “paradat homoseksualësh dhe dekadencë”.

Në vitin 2009, ai e ktheu zemërimin e tij nga Madonna, duke thënë se një aksident me varkë në Maqedoninë e Veriut fqinje, në të cilën vdiqën 15 bullgarë, ishte “ndoshta” ndëshkimi i Zotit për Bullgarinë që mbajti një koncert me yllin e popit.

Në vitin 2015, Nikolai ishte shënjestra e një hetimi nga Sinodi i Shenjtë i Bullgarisë për të parë nëse ai kishte promovuar propagandë politike gjatë meshave të tij pas raportimeve se ai mbajti një fjalim 10 minutësh duke lavdëruar kryetarin e Plovdivit, Ivan Totev.

Kisha Katolike përsëri u bë shënjestër kritikash në vitin 2019 kur Nikolai tha se vizita e paralajmëruar e Papa Françeskut në Sofje ishte një përpjekje për “të bashkuar të gjitha fetë rreth Papës, në mënyrë që kur të vijë Antikrishti, Papa të jetë një nga ata që do ta mirëpresë”.

Patriarku Daniel – lojtari i aftë politik i Rumanisë

Në Rumani, pak mund ta rivalizojnë ndikimin e Patriarkut Daniel, kreut të Kishës Ortodokse Rumune.

Lindur në vitin 1952 në krahinën Timis në Rumaninë perëndimore, Danieli u bë patriark në vitin 2007 dhe që atëherë ka treguar se është i aftë të lundrojë në ujërat politike postkomuniste të Rumanisë.

“Gjatë mandateve të tij si mitropolit dhe patriark, Daniel ka qenë një lojtar politik i aftë për të fituar mbështetjen politike dhe financiare të të gjitha qeverive post-komuniste”, tha analisti politik Mihai Isac.

Daniel siguroi fonde të mëdha publike për ndërtimin polemik të Katedrales së Shpëtimit të Popullit në Bukuresht, e cila do të jetë kisha më e lartë ortodokse në botë kur të përfundojë. Megjithatë, disa e kanë vënë në dyshim koston e taksapaguesve rumunë.

Kisha ka gjashtë kambana bronzi me fytyrën e Danielit të gdhendur në të dhe pozicioni i saj i spikatur në horizontin e Bukureshtit është një simbol i fuqisë së Kishës Ortodokse në një vend ku 85 për qind e njerëzve e konsiderojnë veten si të krishterë ortodoksë.

Danieli, tha Isac për BIRN, shihet gjerësisht si ekumenist, duke mbrojtur marrëdhënie më të ngushta midis emërtimeve të ndryshme të krishtera – një perceptim i forcuar në maj të vitit të kaluar kur ai kryesoi një lutje dhe meshë të përbashkët me Papa Françeskun gjatë vizitës së liderit katolik në Bukuresh. /BIRN/