Transmetuar më 28-01-2020, 23:09

Një polic në Kosovë mbeti i vrarë dhe dy të tjerë, bashkë me një fëmijë, u plagosën nga një shpërthim që ndodhi mbrëmjen e sotme në një banesë në Zhur të Prizrenit, ku po kryhej kontroll.

Detajet për ngjarjen tragjike i dha zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Mund të konfirmojmë se sot 28.01.2020 në orët e mbrëmjes gjatë një operacioni policor në fshatin Zhur të Prizrenit,  dyshohet se ka ndodhur një shpërthim ku si pasoj e këtij shpërthimi ende të pa identifikuar kanë pësuar lëndime tre zyrtarë policorë dhe një qytetar”.

“Si pasojë e plagëve të pësuara dyshohet se njëri nga zyrtarët policor të ketë ndërruar jetë’, tha Osmanollaj, për Telegrafin.

Ai tha se polcia dhe një grup hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.

Në mesin e të lënduarve si pasojë e këtij shpërthimi ka mbetur një fëmijë, i cili ishte pjesëtar i familjes në shtëpinë e së cilës policia e Kosovës po kryente bastisjen.

“Një fëmijë i familjes ku është kryer bastisja ka pësuar lëndime të lehta. Të lënduarit janë dërguar në Spital të Prizrenit ku po trajtohen nga qendra Emergjente”, tha Osmanollaj.

Arsyeja e bastisjes së shtëpisë ku ndodhi shpërthimi sipas zyrtarit të policisë, erdhi për shkak të dyshimeve mbi trafikun e drogës.

/NOA.al