Transmetuar më 27-01-2020, 21:40

Mjekësia Ligjore ka bërë publike autopsinë për vdekjen e 19 vjeçares, Rezarta Hajdari, duke qetësuar disi familjen e saj, pas ngjarjes tronditëse.

Rezarta humbi jetën në muajin dhjetor në fshatin Xhyrë të Librazhdit, gjatë natës kur ishte në gjumë, vetëm 5 ditë pasi ishte martuar me Olsi Hajdarin.

Autopsia, e cila i është dërguar edhe Prokurorisë Elbasan, ka konstatuar sikundër dyshohej helmimin nga monoksidi i karbonit, i lëshuar nga mangalli me prush që çifti i bashkëshortëve kishin vendosur në dhomën e gjumit për t’u ngrohur para se të flinin.

Bashkëshorti i saj, pavarësisht se u gjet pa ndjenja, ia doli të mbijetonte.

Por pas vdekjes së vajzës, familja e saj dyshon se ajo mund të jetë vrarë dhe madje familja e Olsit Hajdarit nuk u pranua as në ceremoninë e lamtumirës së Rezarta Hajdarit.

Pas daljes së autopsisë familjarët e Rezarta Hajdarit duket se i kanë ulur gjakrat. Ata kanë pranuar rezultatet e autopsisë duke lënë të kuptohet që nuk do të ketë hakmarrje.

Në një lidhje telefonike për Report Tv, vëllai i 19-vjeçares, Reshit Xibraku është shprehur se është dakord me ekspertizën e bërë nga mjekët dhe se nuk ka më dyshime për vdekjen e motrës së tij.

"Analizat i mora. Jo nuk kam asgjë për të thënë. E pranoj se është helmuar nga mangalli", është shprehur ai. Edhe të afërmit e tjerë të familjes së vajzës ngritën dyshime të forta, mbi vdekjen e saj.

/NOA.al