Rama zbardh detaje nga takimi me kancelaren Merkel, në fokus konferenca e Donatorëve dhe negociatat
Transmetuar më 27-01-2020, 16:51

Kryeministri Edi Rama pas takimit me Angela Merkel sot në Berlin ka zbardhur detaje nga biseda me kancelaren. Kreu i qeverisë u shpreh se Merkel ishte mjaft mirë e informuar për shifrat e asaj që ka ndodhur në Shqipëri nga tërmeti tragjik, por edhe planin për rindërtimin. Fokusi, thotë kryeministri Rama ka qenë te konferenca e Donatorëve, por një pjesë të rëndësishme të bisedës e ka zënë edhe çështja e negociatave. "Gjermania është në mbështetje të plotë dhe pa asnjë luhatje për ta shtyrë këtë proces" tha Rama për TVSH-në.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

-Zoti Kryeministër, takimi me Kancelaren vjen në kuadër të një turi që po merrni në të gjitha kryeqytetet e rëndësishme europiane, për të siguruar mbështetje, jo vetëm për procesin e rindërtimit, por dhe një mbështetje për çeljen e negociatave. A mund të na thoni detaje të tjera nga takimi dhe çfarë biseduat me Kancelaren?

Këtë takim unë e kam realizuar me Kancelaren në funksion të rindërtimit. Natyrisht që Kancelarja ka dëshiruar që takimi të zgjerohet dhe me tema të tjera, por e rëndësishme është që në pjesën e parë ku jemi fokusuar tek rindërtimi, unë e kam gjetur Kancelaren shumë të informuar. Ajo është një person shumë i dhënë mbas statistikave dhe shifrave dhe nuk ka të dytë në këtë aspekt, me njohuri shumë të imta për gjithçka që ka ndodhur e gjithçka që duhet të ndodhë.E natyrisht, gjëja më e rëndësishme është që ajo ka rikonfirmuar angazhimin e saj personal dhe të Gjermanisë për të mbështetur procesin e rindërtimit, me konferencën e donatorëve, por jo vetëm, edhe më tutje me mekanizma të tjerë.

-A morët ju garanci nga Kancelarja në lidhje me bindjen e vendeve skeptike siç është Franca apo Holanda?

Natyrisht, kemi folur dhe për pjesën e procesit të integrimit dhe të çeljes së negociatave. Këtë herë Kancelarja ka qenë e qartë edhe publikisht, gjë që nuk e ka bërë herën e shkuar, në pritje të vendeve të tjera, dhe e ka konfirmuar dhe në takimin me mua që Gjermania është në mbështetje të plotë dhe pa asnjë luhatje për ta shtyrë këtë proces. Natyrisht që kemi diskutuar për aspektin kryesor të lidhur me procesin që është diskutimi i brendshëm i BE-së, metodologjia e re, propozimet, kundërpropozimet, ecuria e procesit dhe unë në anën time i kam thënë dhe Kancelares atë që e them dhe publikisht, që për ne, e rëndësishme është të bëjmë detyrat e shtëpisë, sepse i bëjmë për vete, nuk i bëjmë as për kancelaren, as për Gjermaninë, as për Francën, as për Holandën, por i bëjmë për të nesërmen e Shqipërisë. Kur ata të jenë të gjithë gati, ne do të hymë në një fazë të re. Përderisa ata të mos jenë gati, kjo nuk është diçka që ne mund të ndryshojmë, ne thjesht duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, njësoj sikur të kishim hapur negociatat.

-Zoti Kryeministër, si do të jetë e organizuar Konferenca e Donatorëve?

Është e organizuar nga Presidentja e re e Komisionit, janë të ftuara të gjitha vendet dhe do të shohim pastaj sa do të jetë pjesëmarrja e çfarë do të dali.

-Sa do të jetë pritshmëria juaj për donacionet?

Ne nuk kemi vendosur një pritshmëri të lartë. Ne ia kemi shpjeguar gjerësisht Kancelares të gjithë programin tonë në kuptimin e alternativave të financimit, kemi folur dhe për disa çështje që ne i kemi brenda nesh në diskutim dhe unë nuk mund t’i diskutoj publikisht, se si mund të shtohet volumi i financimit me disa masa që ne jemi të përgatitur të marrim. Gjithçka që do të vijë nga konferenca e donatorëve do të jetë pozitive. Nuk kemi vendosur, e thashë, një tavan pritshmërie dhe nuk presim natyrisht që konferenca e donatorëve të përmbushi të gjitha nevojat. Nevojat janë të mëdha, por jemi të përgatitur që t’i përballojmë të gjitha nevojat me disa hapa. Kështu që unë jam i qetë në këtë aspekt.

-Zoti Kryeministër, sa ka ndikuar reforma në drejtësi e ndërmarrë nga vendi ynë sa i takon përafrimit të çeljes së negociatave duke patur parasysh që dhe Kancelarja e cilësoi atë si një arritje pozitive për vendin?

Nëse flasim për Gjermaninë dhe për Kancelaren, reforma në drejtësi ka ndikuar gjerësisht dhe thellësisht, por nuk është njësoj për të gjitha vendet sepse e thashë që, ose më saktë, dihet që jo të gjitha vendet janë në të njëjtin pozicion dhe ka dhe ndonjë vend që nuk mjaftohet me reformën në drejtësi, por përpiqet të gjejë të tjera gjëra, ndërkohë që çështja nuk jemi ne. Çështja është diskutimi i brendshëm në BE për të ardhmen e BE-së dhe janë raportet mes tyre.

-Ju nesër keni një darkë pune me presidenten e Bashkimit Europian. Çfarë do diskutoni me të Kryeministër?

Atë ia lëmë intervistës tjetër pas darkës./b.l/noa.al/