Transmetuar më 27-01-2020, 01:19

Fundi i kësaj jave ishte edhe koha e fundit e njoftuar nga palët për arritjen e koalicionit qeverisës mes Vetëvendosje dhe LDK, dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të martën kishte thënë se mbeteshin të përkushtuar që të punonin për marrëveshje, e cila të respektonte vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Kreu i LDK-së kishte deklaruar se marrëveshja do të bëhej deri në fund të kësaj jave ose do të konstatohej se s’ka kushte.

Megjithatë edhe deri në ditën e fundit të kësaj jave, të paktën zyrtarisht nuk është mbajtur asnjë takim mes LVV-së e LDK-së. Si duket deri në këto momente nuk ka asnjë lëvizje rreth një takimi të mundshëm sot.

Nga Lëvizja Vetëvendosje bëjnë me dije se “nuk kanë asnjë informacionin në këtë drejtim”. Kështu ka konfirmuar për KosovaPress, zëdhënësi për media i kësaj partie, Arlind Manxhuka. Ndërsa, zyrtarë nga Lidhja Demokratike të Kosovës, nuk i janë përgjigjur telefonatave të Agjensisë.

Dy ditë më parë u raportua në media për një takim në mes të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës në shtëpinë e këtij të fundit në Prapashticë. Ndërkohë, kanë kaluar 112 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe LVV doli fituese.

Sakaq, ishte data 20 janar kur presidenti Hashim Thaçi dekretoi Albin Kurtin si kandidat për kryeministër dhe i la 15 ditë afat të formojë qeverinë.