Transmetuar më 26-01-2020, 19:22

Intervista ekskluzive për "NOA.al"/ Silvana Begaj:

Vështirë të integrohesh në Shqipëri pa qenë militant partie ose nëse nuk je pjesë e rrjetit nepotik. Vendi ynë ka shumë të rinj të talentuar dhe këtë e vërteton fakti, që të rinjtë shqiptarë kanë arritur rezultate në botën ku ka garë të ndershme.

Silvana Begaj nuk dëshiron të prezantohet si individ, por si një emigrante që i tha "mirupafshim" Shqipërisë së krimit, dhe për t’i thënë mirëseerdhe Shqipërisë europiane.

Para se të gjykohet letra, ajo i fton ta lexojnë njëherë të gjitha letrat që shkruajnë për një Shqipëri më të mirë.

Për atë që ajo e ka quajtur Shqipëria Europiane!

Ajo ka ardhur me disa artikuj për një Shqipëri më të zhvilluar, si punësimi, modeli socioekonomik, ndryshimet gjinore, shtresa e mesme etj, për të kontribouar sadopak në ndryshimet e vendit tonë.

"Të gjykosh është më e lehtë se të mendosh. Para se të bëjmë kritikën duhet të mendojmë si të zgjidhim fenomenin", thekson ajo në intervistën për NOA.al.

"Sot dua të ëndërrojmë të gjithë bashkë! Të ëndërrojmë për një Shqipëri të lirë".

"Një Shqipëri të bukur dhe Europiane ku i varfri nuk shtypet, ku i sëmuri nuk përbuzet, ku krimineli ka frikë ligjin dhe jo ligji kriminelin. Unë dua një Shqipëri ku jep përpara se të marri", – ishte fjala e saj në një konferencë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të rinjve të këtij vendi.

"Një Shqipëri, që e mban dhe e motivon rininë, nuk e shtyp dhe e largon atë. Ëndërroj Shqipërinë me një rini që nuk korruptohet, nuk joshet, por reagon për përmirësimin dhe zhvillimin e saj. Në Shqipërinë ku nuk futesh në punë se valëvite disa flamuj me ngjyra politike, por sepse je i aftë. Në Shqipërinë ku fondet, taksat shërbejnë për të mira dhe shërbime publike në shërbim të qytetarit dhe që gjeneron vende pune, jo për të pasuruar një politikan të etur".

Silvana Begaj dhe shumë të rinj të tjerë si ajo, që janë larguar ose ende jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, e duan ndryshe Atdheun e tyre: që të paktën, nëse nuk mund të bëhet më mirë ky vend, të mos paragjykohen, përderisa nuk iu jepet mundësia në jetë.

Në vendin tonë prej 30 vitesh shohim politikanë dhe drejtues të përjetshëm, të cilët nuk mbajnë asnjë përgjegjësi, për situatën. Ata thjesht ndërrojnë postet dhe rolet, e përmes fuqisë së parasë së fituar dhe të pajustifikuar, zhvillojnë aftësitë më negative të "aktrimit", duke përmbuzur dhe lënë në mëshirë të fatit të rinjtë dhe pjesën më të madhe të popullsisë. Dhe nga mungesa e garës së ndershme, prej së cilës presupozohet se dalin më të mirët në çdo fushë, Shqipëria vuan sot pasojat e rënda që i konstatojmë lehtësisht. Me siguri askush nuk do t’i dëshironte, veç atyre që përfitojnë në kurriz të së ardhmes sonë të përbashkët.

Në intervistën ekskluzive për "NOA.al", Silvana Begaj, pas një artikulli të fundit që bëri bujë pak ditë më parë në mediat tona, “Shqipëri mirupafshim! Unë po iki!”, në vend të një ideje apo qëndrimi nëse konstatimet e saj ishin apo të drejta, u paragjykua disi. Reagimi i saj erdhi spontan nga fakti që shumë shqiptarë reaguan në masë, pa dhënë asnjë propozim apo ide për një vend më të mirë. Por çka dashur ajo të thoshte dhe çka dëshiron në të vërtetë Silvana për vendlindjen e saj: Shqipërinë tonë të përbashkët:         

Një artikulli juaji i fundit, “Shqipëri mirupafshim! Unë po iki!”, është përhapur dhe është komentuar shumë në portale dhe në rrjetet sociale, duke u parë nga shumë shqiptarë si një vendim i drejtë për gjendjen e pashpresë ku ndodhet vendi, por nga të tjerë edhe si një gabim që ju e keni braktisur Atdheun. Si do t’ju përgjigjeshit këtyre të fundit?

Shkrimin tim të fundit nuk duhet ta kuptoni si braktisje, por si një pasqyrim të problemeve që vërehen sot në Shqipërinë tonë, me qellim që super-struktura e shtetit të marrë masa për t’i përmirësuar. Shoh se po hidhen disa hapa në drejtimin e duhur, të cilat, megjithatë, nuk mjaftojnë. Unë e  dua vendin tim, prandaj shkruaj dhe ngre probleme. Si mendoni ju, se unë jam larguar prej qejfit nga vendi im. Jo, kam ikur nga halli, sepse konstatova që nuk kishte dhe nuk kishte hapësira në Shqipëri, pa pasur akses politik e neopotik.

Fan Noli, i cili para se të dëbohej gati një shekull më parë ishte shprehur në Kuvend, se në këtë vend si me magji tradhtari bëhet patriot, dhe i ndershmi, ai që punon dhe lufton për vendin e tij, shpallet tradhtar. Ju për faktin se jeni larguar dhe jeni shprehur e zhgënjyer, a ndieni se keni “shitur” interesin kombëtar?  

Nuk kam përmasat e Fan Nolit në kontribute, për vendin tim, por jam një nga vlerësueset e kësaj figure me përmasa kombëtare e më gjerë. Edhe Noli nuk e braktisi Shqipërinë mëmë. Ai luftoi për normalizimin e saj, me mundësitë dhe mjetet që mundi. Ne që nxjerim në pah problemet që duhen ndrequr, e që i vërejmë ato nga jashtë, nuk jemi tradhëtarë, por patriotë dhe për rrjedhojë nuk shesim interesin kombëtar, por e forcojmë atë duke vënë theksin mbi problematikat që ka vendi ynë.

Ndërkohë, jeni rritur në kohë tranzicioni në Shqipëri. A keni ndeshur ndonjë politikë apo vizion që është ndjekur për të zhvilluar arsimin, ekonominë, apo për t’ju dhënë atë që meritojnë të rinjve të talentuar, ata që duan të punojnë me ndeshrmëri, me qëllim që të mos e braktisin Atdheun?

Kam lindur dhe jam rritur në periudhën e tranzicionit. Kam patur dhe i kam njohur problemet, sipas stadit të moshës. Kur je aty ambientohesh me disa gjëra dhe ato të duken si normale. Por pas mbarimit të shkollës së lartë, kuptova se shumë gjerë nuk shkonin. Siç e thashë më lart është vështirë të integrohesh në Shqipëri pa qenë militant partie ose nëse nuk je pjesë e rrjetit nepotik. Shqipëria ka shumë të rinj të talentuar dhe këtë e vërteton fakti, që të rinjtë shqiptarë kanë arritur rezultate në botën ku ka garë të ndershme. Keni dëgjuar plot të rinj shqiptarë, të cilët shkëlqejnë sot në botë. Prandaj duhen politika konçize për të mbajtur njerëzit e talentuar dhe inteligjencën në Shqipëri.

A japin sot universitetet tona dije dhe kulturë të mjaftueshme që duhet të ketë shoqëria, sidomos brezi i ri, për të pasur elitat e duhura intelektuale, që të konkurrojë nesër sa më denjësisht me vendet e tjera të rajonit?

Shkencat dhe informacionet shkencore janë njëlloj në të gjithë botën. Varet si e jep këtë informacion dhe niveli i implementimit praktik të këtij informacioni. Shkolla shqiptare ka patur traditë të mirë në këto drejtime. Shohim se ka specialistë të moshuar dhe shumë të aftë. Tani në tranzicionin e stërgjatur, universitetet tona janë deformuar në drejtim të dhënies së informacionit. Laboratorët janë  neglizhuar dhe shkatërruar në çdo fushë. Dobësimi i informacionit ka ardhur nga dy shkaqe.

a- Punësimi në institucionet e mësimdhënies të njerëzve me dije të kufizuar.

b- Ata që dinë e kufizojnë informacionin për interesa korruptive, që studentët të bien në rrjet. Por nuk përjashtoj që ka dhe mësimdhënës me integritet të lartë dhe me dije të kristalizuara.

Ju jetoni prej disa kohësh në Suedi. Çfarë besoni se ka sjellë zhvillim dhe mirëqenie në këtë vend, që Shqipëria të mësojë sadopak, apo ta ndjekë si model, që të lërë pas prapambetjen saj historike?       

Në këtë vend, së pari zbatohet ligji në çdo qelizë të formacionit ekonomiko-shoqëror. Në këtë vend ka garë të vërtetë dhe i afti fiton pavarësisht dëshirave të njerëzve që e qeverisin atë. Në këtë vend përkujdesja e shtetit është maksimale, aq sa mbulon çdo metër katror të tij dhe çdo shtresë shoqërore.

Në këtë vend nuk të shkelet lehtë e drejta.  Prapambetja e Shqipërisë sonë nuk ka të bëjë me historinë. Komunizmi ka 30 vjet që ka ikur. Janë 30 vjet ekonomi tregu. Dhe mos harrojmë se Shqipëria është vend shumë i pasur, me resurse nën tokësore e mbitokësore.

 Megjithatë ndihet një farë zhgënjimi për vendin tonë? A mund të na thoni një ndër zhgënjimet më të mëdha që keni përjetuar?      

Zhgënjim më të madh ndjeva kur kërkoja punë, pas studimeve të larta. Nuk të hapej asnjë derë, madje sillnin pengesa e justifikime nga më të ndryshmet. Zyrat e shtetit të përcillnin lehtë, pa një përgjigje ligjore e të argumentuar. Ecuria e ngadaltë dhe shpesh hapa mbrapa, pasiguria në jetë, në rrugë, në vendin e punës, shëndetësia e dobët, papunësia që sa vjen dhe rritet, ishin disa nga zhgënjimet e mia.

Kur erdhi në pushtet në vitin 2013, kryeministri aktual, u shpreh se ndryshe nga qeveritë e kaluara, që i quajti “xhaketa të vjetra”, qeveria e tij do të punojë dhe do të vlerësojë të rinjtë dhe njerëzit e zakonshëm. Sot e shihni atë si një premtim, apo realizim konkret?

Unë po shikoj që kryeministri aktual po bën disa reforma, që mund të sjellin rezultate në të ardhmen. Por këto reforma duhet të zbatohen. Në Shqipëri nuk zbatohet ligji dhe ky është problemi.

Vendi ynë emëron me shumicë “ekspertë” dhe “specialistë” në të gjitha fushat. Ka edhe shumë analistë që i “shpjegojnë” këto fenomene. Paradoksalisht, pse në momente të vështira, si në rastin e tërmetit, veç donacioneve duhen edhe sizmologë, inxhinierë, ekonomistë, juristë dhe ekspertë të huaj të fushave të tjera?

Në Shqipëri është problem se paraja ikën jashtë nëpërmjet këtyre konsulencave, koncensioneve e tendarave . Pikërisht këtu ka përgjegjësi politika. Dhe kjo bëhet për interesa të ngushta. Po të shihni biznese më fitimprurese i disponojnë të huajt, si bankat, siguracionet, kontrollet, konsulencat e mëdha etj. Prandaj është e domosdoshme që shteti duhet të angazhojë në radhë të parë burimet e veta intelektuale të brendshme, si dhe të vërë kushte për të patur në stafet e tyre dhe specialistë me eksperienca të huaja. Edhe specialistët shqiptarë me eksperiencë kanë njohuri të plota për t’i manaxhuar këto veprimtari.

Ju thoni mirupafshim dhe jo lamtumirë! Pra, nuk përjashtohet rikthimi… Dhe një mesazh për të rinjtë e këtij vendi, që jetojnë ende në Shqipëri …

Po ashtu them e do të them se "guri e ka peshën në vendin e vet",  edhe për çdo specialist apo emigrant që punon jashtë vendit, që kërkon apo synon të rikthehet në vendin e tij. Shpresoj që reagimi të vijë nga ata, të cilët kanë në dorë të bëjnë ndryshime për të ndaluar këtë ikje masive.

Do të dëshiroja të kuptohet që ikja në masë nuk vjen, se këta njerëz nuk e duan vendin e tyre, por sepse kanë humbur shpresën për një të ardhme më të mirë. Ka njerëz të cilët reagojnë që të mos ikim, apo na bëjnë fajtorë pse po ikim. Do t’i këshilloja të jepnin sugjerime, sesi mund të zgjidhet dhe përmirësohet situata, që të rinjtë e zotë, të punës, ata që zotërojnë talent, në një vend ku kemi lindur dhe jemi rritur të gjithë, të ndihen sa më mirë dhe më të sigurt. Të gjithë të rinjtë, që nuk kanë përfituar nga ajo çka ata meritojnë dhe besoj janë shumica dërrmuese, duan një Shqipëri, që të paktën i respekton dhe i vlerëson, me aq sa janë mundësitë, mbi përpjekjet dhe kapacitetet e tyre, për ta transformuar dhe zhvilluar atë: Atdheun tonë të përbashkët.

Mesazhi për të rinjtë: të luftojmë me reagime dhe debate konstruktive për Shqipërinë tjetër.

Intervistoi: Aranit Muraçi/ NOA.al