Transmetuar më 26-01-2020, 15:44

Kryeministri Edi Rama është nisur sot për në Berlin.

Kreu i qeverisë ditën e nesërme do të takojë kancelaren gjermane Angela Merkel lidhur me Konferencën e Donatorëve, që do të zhvillohet në datë 17 Shkurt në Bruksel.

Pak ditë më parë në Romë, Rama për këtë çështje u takua edhe me kryeministrinitalina, Conte.

Në postimin në rrjetet sociale, që e shoqëron me një foto nga avioni, kreu i qeverisë e thekson se takimi me kancelaren do të jetë enkas për Programin e Rindërtimit. "Për në Berlin për takimin me Kancelaren Merkel, enkas për Programin e Rindërtimit në vigjilje të Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt" shkruan Rama.

Rama tha pas takimit me kryeministrin Conte pak ditë më parë se fatura e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, është rreth një miliard euro. Megjithatë, ashtu sikurse e përsëriti edhe sot gjatë prezantimit të platformës online që do shërbejë për të aplikuar banorët e prekur nga tërmeti, "shpresat nuk do të varen vetëm nga ajo se çfarë do të dhurojnë ndërkombëtarët" tha Rama.

Pas Berlinit, kreu i qeverisë shqiptare do të ketë një tjetër takim para Konferencës së Donatorëve në Bruksel, në kuadër të përpjekjeve për të marrë rezultatin e duhur në rimëkëmbejn e vendit, pas dëmeve të shumta që la pas tërmeti shkatërritar./NOA.al