Transmetuar më 26-01-2020, 12:58

Një operacion i policisë së Korçës i koduar “Koordinimi” ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim nga policitë e pesë qarqeve.

I dyshuari rezultonte i shumëkërkuar për mashtrim, nga policia e Vlorës, Fierit, Tiranës dhe Elbasanit.

Gjatë operacionit 31-vjeçari, tentoi t’i largohet policisë duke kundërshtuar urdhrin e punonjësve, por u neutralizua dhe ndalua, ku ju gjetën armë të ftohta në makinë.

I arrestuari i mbrëmjes së kësaj të shtune është 31-vjeçari Liridon Salihi, banues në Gjilan, Kosovë, i dënuar më parë për veprën penale “Mashtrimi”.

I riu rezulton i shpallur në kërkim në qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë e Fier, për veprën penale “Mashtrimi” si më poshtë:

-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burg, pasi nëpërmjet mashtrimit që u ka bërë dy personave (në kohë të ndryshme) dyshohet se ka përfituar një shumë mbi 10000 euro.

-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën “Mashtrimi, kryer në bashkëpunim”.

-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ky shtetas në disa raste ka përfituar me anë të mashtrimit shuma parash duke shituar mjete të marra me qira.

-Po ndaj tij po zhvillohen hetime edhe nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP-Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi ky shtetas, me anë të mashtrimit ka përfituar nga një shtetas në Levan të Fierit, një shumë prej 850.000 lekësh.

Salihi në momentin kur shërbimet e Policisë në lagjen nr. 9, i kanë kërkuar të ndalonte, nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka tentuar të largohet me mjetin tip “Benz”, por u neutralizua dhe u vu në pranga.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, iu gjet një kartë identiteti shqiptare e dyshuar si e falsifikuar, si dhe në mjet iu gjet një thikë dhe një sopatë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndaj tij hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. /a.y/noa.al