Transmetuar më 25-01-2020, 15:14

Një 37-vjeçar, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare ka rënë në prangat e policisë gjermane.

Ai është identifikuar si Elton Sako, banues në Tiranë, që u dënua me 9 vite burg për vjedhje me dhunë nën kërcënimin e armëve.

Në vitin 2012, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të identifikuar me inicialet S.M. dhe L.M., kanë hyrë në banesën e shtetasit V. B., në rrugën "Qemal Stafa". Në banesë ndodhej vajza e mitur dhe nën kërcënimin e armëve e të maskuar kanë vjedhur një sasi bizhuterish.

Falë informacioneve nga policia shqiptare me Interpol Tirana dhe Policinë Gjermane, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i 37-vjeçarit me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 9 vite burg, për veprën penale "Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim"./a.m/noa.al