Transmetuar më 25-01-2020, 12:20
Foto ilustruese

Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar një drejtues mjeti që po përpiqej të korruptonte oficerin duke i dhënë para.

35-vjeçari i identifikuar me inicialet R.Y., u ndalua në rrugën "Karl Gega" pasi po drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë dhe pa kryer kontrollin teknik.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale te parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e penalizmit, drejtuesi i automjetit i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh.

Gjatë 25 ditëve të para të këtij viti, Policia Rrugore e Tiranës ka goditur tre raste të mitëdhënies, ku kanë përfunduar në pranga drejtuesit e mjeteve që kanë tentuar të korruptojnë punonjësin e Policisë rrugore me qëllim shmangien  e masës administrative.

Policia ka bërë thirrje që shoferët të zbatojnë rregullat e qarkullimit pasi siguria në rrugë nuk blihet./a.m/noa.al