Transmetuar më 25-01-2020, 08:44

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta reagoi për situatën e krijuar në Turqi pas tërmetit që goditi vendin mbrëmjen e djeshme.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Meta shpreh ngushëllimet për familjarët e të prekurve dhe mbështetjen e shtetit shqiptar.

“Me shqetësim dhe dhimbje të thellë po ndjek situatën në Turqinë mike, të goditur nga tërmeti tragjik.

Shumë i tronditur nga viktimat në njerëz, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre, të gjithë popullit turk dhe Presidentit Recep Taip Erdoğan, duke u lutur që të mos ketë të tjera humbje jetësh.

Të gjithë të lënduarve nga kjo fatkeqësi natyrore ju uroj shërim sa më të shpejtë. Në këto momente tepër të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi në krah Turqisë mike! 🇦🇱🇹🇷”, shkruan Meta.

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 rihter ka goditur Turqinë lindore mbrëmjen e të premtes. Deri më tani sipas Ministrit të Brendshëm të Turqisë, janë shënuar të paktën 21 viktima , ndërkaq që mbi 100 banesa janë të rrënuara duke lënë pas mijëra të plagosur.

Epiqendra e këtij tërmeti të fortë ka qenë pranë zonës së quajtur Elazig, ku u shënuan edhe më shumë viktima dhe dëmet e mëdha materiale. Thellësia e këtij tërmeti ka qenë 6.7 km, ndërsa lëkundja është shënuar në orën 17:55./b.,l/noa.al/