Në garë për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, deri më tani kanë aplikuar pesë kandidatë.
Kanë mbetur edhe 6 ditë nga mbyllja e aplikimit.
SPAK njoftoi ditën e sotme listën e kandidatëve që kanë aplikuar deri në orën 09:00 të kësaj të premteje.
“Do të doja të ritheksoja edhe një herë që aplikimi për Pozicionin e Lirë të Punës për Drejtorin e BKH-së është një mundësi e shkëlqyer për t’u përzgjedhur për të drejtuar një grup të madh hetuesish të BKH-së, të cilët do të mbështesin Prokurorët e Posaçëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri”, tha Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë se Posaçme.
-“SPAK kërkon një kandidat ose kandidate që demonstron lidership, integritet dhe profesionalizëm. Në qoftë se ju mendoni që i plotësoni kërkesat e këtij pozicioni sfidues dhe kriteret në lidhje me përvojën në punë, arsimin dhe keni një figurë të pastër, aplikoni para datës 30 janar 2020”, – theksoi Kraja.
Gara për kreun e BKH-së u hap më 10 janar.
Kandidatët që kanë aplikuar:
Ibrahim Disha, ish-oficer policie i cili aktualisht jeton në Kanada.
Artan Shkëmbi, një nga drejtuesit njësisë Forca e Ligjit
Gjovalin Ulndreaj, oficer policie deri në 2003 dhe prej atëherë ka punuar si avokat.
Adriatik Ago- Zv/ drejtori i SHÇBA-së, një nga zyrtarët e lartë të policisë që ka kaluar procesin e vettingut.
Sabri Hoxha, profesor mjekësie, ekspert mjeko-ligjor. Ai ka kryer disa fakultete si për inxhinieri, mjekësi dhe juridik.