Transmetuar më 24-01-2020, 12:36

Deputeti i Kurbinit, Gjetan Gjetani, i përjashtuar pak kohë më parë nga Partia Socialiste, ka vendosur t’i bashkohet Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Gjetani fitoi mandatin e deputetit nën siglën e PS, por u përjashtua nga partia në shtator të vitit 2018, pas një statusi që kishte bërë në faqen e tij të Facebook, ku kritikonte hapur Policinë e Shtetit për dy vrasje të ndodhura në Mamurras.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, që i kërkoi Asamblesë së PS përjashtimin e Gjetanit, duke bërë që ky i fundit të vijojë detyrën si deputet i pavarur. Tashmë, ai ka vendosur t’i bashkohet LSI dhe dje ka qenë i pranishëm në një takim të strukturave të kësaj force politike në Lezhë.

Prej disa kohësh, Monika Kryemadhi ka bërë thirrje për hapjen e partisë për të rinjtë, por edhe për zërat ndryshe të politikës. Në fjalën e saj, Kryemadhi e ka quajtur vitin 2020, si fundin e tranzicionit.

“Unë do dëshiroja që të thoja që viti 2020 jo vetëm në kuadrin e dëshirës por dhe angazhimit se , do të jetë një vit i ndryshimit, vit i shpresës. Do të jetë viti i parë i dekadës së ndryshimit. Të gjithë thonë çfarë është kjo dekadë. Dekada  është ky dhjetëvjeçar i cili do të bëjë ndryshimin përfundimtar të Shqipërisë.

Do të bëjë ndryshimin e tranzicionit. Shqipëria duhet të mbyllë njëherë e përgjithmonë, jo vetëm  periudhën e tranzicionit, por duhet të mbyllë njëherë e përgjithmonë këtë situatë varfërie, mosfunksionim të çdo gjëje, që ka varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët dhe i ka detyruar të largohen nga Shqipëria”,  ka thënë Kryemadhi./b.l/noa.al/