Transmetuar më 24-01-2020, 08:18

Në vitin 2009 bëri bujë largimi i Arben Malajt nga Partia Socialiste, pas përplasjeve të forta me kryesocialistin Edi Rama.

I etiketuar si “Nano-ist”, Malaj u largua nga PS, por pa hequr dorë në asnjë moment nga politika, madje ai garoi i vetëm për deputet në qarkun e Vlorës.

Ujërat rrodhën dhe ai u emërua anëtar i bordit të Bankës së Shqipërisë, deri kur fundvitin e lënë pas, mazhoranca e drejtuar nga “kundërshtari” i tij Edi Rama, e shkarkoi.

Por Malaj bën një tjetër lëvizje, ai bashkohet me një tjetër parti, për të vijuar atë që di të bëjë më mirë, politikë.

Ai ka bërë me dije se i është bashkuar Partisë Agrare Ambientaliste, të Agron Dukës.

Lajmin e ka dhënë vetë, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan:

“Një angazhim konkret me Partinë Agrare Ambientaliste. E mirëprita ftesën e kolegut të nderuar Agron Duka për të kontribuar si këshilltar strategjik për platformën dhe organizimin e PAA për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale.

Këshillimi i kësaj partie të qendrës së majte, me strategji të sukseshme, më krijon mundësi reale për të dhënë kontribute pozitive për ta rritur fuqinë elektorale të PAA dhe për ta ofruar PAA në çdo aspekt të vlerave dhe misionit të saj politik me të gjelbërit evropian, të cilët vleresohen sot si grupimi politik me progresistë dhe me influencë të rritur në qeverisjen vendore dhe kombëtare në shumë vende të BE-së, por edhe në institucionet e saj politike.

Të gjelbërit në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian fituan rreth 10% të votave, duke marrë një status të rëndësishëm edhe për politikat në nivel evropian. Suksese PAA! Mirënjohje çdo kolegu që do të angazhohet për sfidat e PAA, si një mundësi konkrete për zhvillime dhe ndryshime pozitive në Shqipëri!” /a.y/noa.al