Transmetuar më 23-01-2020, 19:17

Presidenti Meta është pritur me nderime të vecanta nga nga Kryetari i Parlamentit të Izraelit (Knesset), Yuli Edelstein.

Pasi shprehu kënaqësinë që viziton Izraelin me rastin e Forumit të Pestë Botëror të Holokaustit, Meta tha: “Mesazhi im është i qartë teksa bota përkujton 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit – Antisemitizmi nuk ka vend në shoqëritë tona!

Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi që shpëtoi mijëra jetë hebrenjsh gjatë periudhës më të errët historike të tyre në shekullin e 20-të,”.

Presidenti Meta vuri në dukje se Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyer. E gjitha kjo falë faktit se të dy vendet ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë, tolerancës dhe bashkëjetesës.

“Ne jemi edhe më të bashkuar në përpjekjen tonë për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar,” – u shpreh Presidenti Meta.

Në fjalën e tij, Ilir Meta inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë duke thënë se Shqipëria mund të mësojë rreth përdorimit të teknologjisë, dhe mjeteve të reja digjitale për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Presidenti Meta e falënderoi Kryetarin e Parlamentit izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, si dhe shprehu mirënjohjen për operacionet e kërkim-shpëtimit që Njësia Kombëtare e Shpëtimit e Izraelit ndërmori në vendin tonë.

“Ju jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit në ato momente të vështira, që i konsolidoi më shumë marrëdhëniet historike miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë”, përfundoi Meta./noa.al/