Transmetuar më 23-01-2020, 13:50

Pas shumë debatesh, Komisioni i Medias ka rrëzuar dekretin e Presidentit Meta për kthimin në Kuvend për rishikim të Paketës Anti- Shpifje.

Pasi Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese rrëzoi ligjin e parë të kthyer nga Meta për këtë Paketë, atë që e përcaktonte AKEP-in si një nga strukturat e Anti- Shpifjes, Komisioni për Median rrëzon edhe të dytin.

I pranishëm në komision ishte ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dëputetët dhe relatorët e komisonit si edhe këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj, i cili u shpreh se disa dispozita të kësaj pakete bien në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes, duke përbërë rrezik për interesin publik.

“Një pjesë e dispozitave të ligjit janë hap me tendencë pozitive. Presidenti vlerëson ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Konstatohet se disa dispozita bien në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe shtypit. E nevojshme që dispozitat të rishikohen, pasi përbëjnë rrezik të interesit publik.

Këto dispozita përmbajnë elemente të censurës. U jepet fuqi për masa ndëshkuese para se të ketë një vendim të formës së prerë. Masat ndëshkuese krijojnë hapësira që të aplikohen ndaj mediave online që janë kritike me qeverinë apo nuk i përshtaten vullnetit të saj. Një situatë e tillë do e vendoste vendin në kufijtë e autoritarizmit dhe do ndikonte në procesin e integrimit europian. Ligji nuk sjell rregullimin e pritshëm”, tha Dervishaj.

Por në fund me shumicë votash ka qenë mazhoranca e cila ka rrëzuar dekretin e Metës për kthimin në Kuvend të ‘Anti- Shpifjes’. Kjo do të thotë se nuk do të ketë asnjë ndryshim kurse pritet vetëm që në seancën e radhës formalisht të rrëzohet dhe dekreti nga Kuvendi ashtu siç e ka paralajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla./b.l/noa.al/

“Si mund të gënjeni”, Gjonaj replika me kryetaren e Komisionit për “antishpifjen”: S’jam në prokurori