Transmetuar më 23-01-2020, 12:41

Policia Kufitare e Kakavijës ka goditur katër raste të krimeve ndërkufitare, duke sekuestruar dy automjete luksoze, një trajler, si dhe dokumente të falsifikuara, duke vënë nën hetim katër persona.

Bllokimi u bë në vijim të kontrolleve në vijën e dytë në hyrje dhe në dalje, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe analizave të riskut.

Në hyrje të Shqipërisë u sekuestrua një automjet i markës “Nissan”, me targa bullgare, në pronësi të një firme të huaj dhe në përdorim nga shtetasi grek me iniciale N. D., 56 vjeç, banues në Kozani, Greqi.

Automjeti rezulton me numër shasie të dubluar (falsifikuar) dhe si rrjedhojë mjeti dyshohet i vjedhur dhe i trafikuar. Ky shtetas u procedua për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

Po në dalje të Shqipërisë, Policia Kufitare sekuestroi automjetin e markës “Audi Q7”, me targa shqiptare, i drejtuar nga shtetasi shqiptar me iniciale A. B., 53 vjeç, banues me Vlorë.

Ky automjet rezultoi me numër shasie të falsifikuar dhe i vjedhur në vendet e BE-së. Drejtuesi u procedua për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve të shtuara, po në dalje të Shqipërisë, nga Policia Kufitare u sekuestrua automjeti i llojit “Rimorkio”, i markës “Mercedes Benz”, me targa të Bosnje Hercegovinës, me drejtues shtetasin boshnjak me iniciale M. D., 41 vjeç, banues në Bosnje Hercegovinë.

Ky automjet rezulton me numër shasie të falsifikuar dhe si rrjedhojë i vjedhur dhe i trafikuar. Shtetasi u procedua për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

Po në kuadër të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe kalimit të paligjshëm të kufirit në dalje të RSH-së, nga shërbimet e Policisë Kufitare u sekuestrua një leje drejtimi greke e dyshuar si e falsifikuar.

Leja e drejtimit ishte ne posedim te shtetasit shqiptar me inicialet V. P., 57 vjeç, banues në Greqi. Ky shtetas u procedua për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë. /a.y/noa.al