Transmetuar më 23-01-2020, 11:00

Pickimi i një merimange teksa ishte i shtruar në spital, i kushtoi jetën një pacienti. 63-vjeçari italian Daniele Ernesto Mantovanelli, nga Torino, gjeti vdekjen në 14 janar, si pasojë e insufiçencës renale në spitalin e Parini.

Ai ishte i sëmurë prej kohësh dhe një sërë infeksionesh e komplikuan gjendjen e tij.

Por familjarët këmbëngulin dhe kërkojnë të vërtetën nga ana e mjekëve. Në shtator të vitit 2019, një merimangë lejla e pickoi teksa ishte i shtruar në repartin e nefrologjisë. Tashmë familja e tij pretendon se kjo gjë ka ndikuar në vdekjen e tij.

“Doktoresha na shpjegoi se ky nuk ishte rasti i parë ku një pacient pickohej nga merimanga në dhomat e spitalit”, tregon djali i tij Christian për mediat.

Pas pickimit Mantovanelli u kurua dhe u nxor nga spitali, por në fund të muajit tetor u rikthye sërish prej një tjetër infeksioni, stafilokokut.

Edhe kësaj radhe u kurua, por situata u përkeqesua sërish, ku pas disa ditësh u rikthye në spital me një infeksion fatal në gjak.

“Im atë gjeti vdekjen brenda pak orësh. Në mëngjes fola me mjekun dhe më tha që po përmirësohej, më pas pasdite gjeti vdekjen. Jemi të vetëdijshëm që ishte një pacient në rrezik pasi ishte me dializë prej dhjetë vitesh, por marrja e kaq shumë infeksioneve në spital, na bënë të dyshojmë për vdekjen e tij”, thotë i biri.

Avokati Gino Arnone, i cili përfaqëson familjen Mantovanelli, thotë se do kërkojnë që të zbardhet e vërteta deri në fund. /a.y/noa.al